Vendi afrikan ka investuar shumë në infrastrukturë vitet e fundit, por organizimi i një ngjarje kaq të madhe po kërkon ndryshime të mëdha edhe në funksionimin e institucioneve dhe në administrimin e projekteve.
Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i stadiumit “Hassan II” në Casablanca, i cili pritet të ketë kapacitet prej 120 mijë spektatorësh. Synimi i Marokut është që ky stadium të jetë nikoqir i finales së Botërorit 2030, duke konkurruar me stadiumin “Santiago Bernabeu” të Real Madrid.

Ndërkohë, po punohet edhe në përmirësimin e transportit dhe infrastrukturës rrugore. Në Casablanca, për shembull, po zhvillohen punime për përshpejtimin e lidhjes hekurudhore ndërmjet aeroportit dhe qendrës së qytetit.
Maroku nuk po investon vetëm në stadiume dhe transport, por edhe në zhvillimin e futbollit. Një nga projektet më të rëndësishme është kompleksi sportiv “Mohammed VI” në Sale, i përuruar në dhjetor të vitit 2019, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se tridhjetë hektarësh.
Ky kompleks konsiderohet ndër qendrat më moderne sportive në botë dhe shpesh krahasohet me qendrën e njohur franceze Clairefontaine. Ish-përzgjedhësi i Marokut, Vahid Halilhodzic, e kishte cilësuar atë si qendrën më të mirë teknike në botë, duke vlerësuar fushat sportive, stafin mjekësor, pishinat dhe kushtet e akomodimit.
Edhe Real Madrid e kishte zgjedhur këtë kompleks si bazë për përgatitje gjatë pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube në shkurt të vitit 2023.
Përveç infrastrukturës, Federata e Futbollit e Marokut po punon edhe për forcimin e përfaqësueses kombëtare. Rreth shtatëdhjetë e pesë për qind e futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Mohamed Ouahbi kanë lindur jashtë vendit, kryesisht në Francë, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Federata po përpiqet të bindë futbollistë me prejardhje marokene që të përfaqësojnë vendin e prindërve të tyre. Një nga rastet e tilla është Ayoub Bouaddi, i cili kishte luajtur për grupmoshat e Francës, por më pas kishte zgjedhur Marokun.
Pavarësisht investimeve të mëdha, përgatitjet për Botërorin 2030 janë shoqëruar edhe me pakënaqësi të qytetarëve. Protestat në rrugë dhe reagimet në rrjetet sociale janë përqendruar te mungesat në sistemin shëndetësor, kushtet në spitale dhe problemet me furnizimin me energji.
Një nga parullat që ka shoqëruar protestat është: “Nuk duam Botëror, duam shëndetësi”.
Të rinjtë dhe qytetarët kërkojnë që më shumë mjete të ndahen për shëndetësinë publike dhe arsimin, në vend që pjesa më e madhe e investimeve të përqendrohet te organizimi i garës ndërkombëtare.
Në disa zona, banorët kanë raportuar edhe largime të detyruara nga shtëpitë e tyre, pa kompensim të mjaftueshëm. Sipas kritikave të ngritura, përmirësimi i infrastrukturës për Botërorin po shoqërohet me vështirësi në jetën e përditshme të një pjese të popullsisë.
Një kontrast i tillë vërehet edhe në Casablanca, ku hotelet luksoze dhe automjetet e shtrenjta gjenden vetëm pak minuta larg zonave ku kushtet higjienike dhe infrastruktura mbeten në gjendje të keqe.
Megjithatë, pakënaqësitë nuk kanë të bëjnë me futbollin si sport, por me mënyrën se si po shpenzohen paratë publike dhe me përparësitë që institucionet po u japin projekteve të Botërorit në raport me nevojat e qytetarëve.
Maroku synon që përmes organizimit të Botërorit 2030 të prezantojë një vend modern dhe të zhvilluar para botës. Por sfida kryesore mbetet që përfitimet nga ky organizim të mos kufizohen vetëm te stadiumet dhe infrastruktura, por të ndihen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Burimi: RTKLive




