E ve për herë të dytë: Historia prekëse – e humbjes dhe mbijetesës – e një nëne nga Gaza

E ve për herë të dytë: Historia prekëse – e humbjes dhe mbijetesës – e një nëne nga Gaza
Prej tre vitesh, Nisreen Touman bie për të fjetur çdo natë me lot në sy, duke kujtuar gjithçka që ka humbur që nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Gazës në tetor të vitit 2023. Kur mbushi 34 vjeç, Nisreen ishte bërë tashmë e ve për herë të dytë. Fillimisht, ajo humbi bashkëshortin dhe dy […]

Prej tre vitesh, Nisreen Touman bie për të fjetur çdo natë me lot në sy, duke kujtuar gjithçka që ka humbur që nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Gazës në tetor të vitit 2023.

Kur mbushi 34 vjeç, Nisreen ishte bërë tashmë e ve për herë të dytë.

Fillimisht, ajo humbi bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj në qershor të vitit 2024.

Më pas, në korrik të vitit 2025 – tetë muaj pasi ishte rimartuar – Nisreen humbi bashkëshortin e dytë ndërsa ishte shtatzënë, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Para luftës së Izraelit kundër Gazës, Nisreen bënte një jetë të lumtur dhe të qëndrueshme në shtëpinë e saj në Nuseirat, në Gazën qendrore, së bashku me bashkëshortin Sami (35 vjeç) dhe dy fëmijët e tyre, Mahmoud dhe Laith, të cilët ishin përkatësisht pesë dhe dy vjeç në kohën kur humbën jetën.

“Kisha një shtëpi dhe një familje të plotë. Shkoja mirë me bashkëshortin dhe ishim miq”, thotë ajo, duke u përpjekur të përmbajë lotët.

Gjithçka ndryshoi

Më 8 qershor 2024, Nisreen po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe fëmijët pasi kishte vizituar të afërmit, të cilët ishin zhvendosur në al-Mawasi, në Khan Younis.

“Arritëm dhe fëmijët po luanin në rrugë. Gjithçka ishte normale. Isha në katin e sipërm me bashkëshortin kur papritur filluam të dëgjonim bombardime të rënda dhe të afërta, si dhe të shtëna armësh”.

Bashkëshorti i saj doli me urgjencë jashtë për të futur brenda fëmijët e tyre, si dhe fëmijët e vëllait dhe motrës së tij; në shtëpi ndodheshin gjithsej 25 anëtarë të familjes.

Më pas, ai doli sërish jashtë për të parë se çfarë po ndodhte, ndërsa aeroplanët fluturonin mbi kokën e tyre.

“Ajo ishte hera e fundit që e pashë. Më vonë mësova se ai ishte vrarë nga një plumb në kokë, i qëlluar prej një fluturakeje që po fluturonte mbi zonë atë ditë”, tha ajo.

Pak minuta më vonë, ndërsa ajo përpiqej të qetësonte fëmijët mes bombardimeve dhe të shtënave të vazhdueshme, shtëpia u godit nga një aeroplan izraelit.

“Humba ndjenjat për disa çaste dhe më pas u zgjova e rrethuar nga pluhuri i dendur që ma kishte bllokuar plotësisht shikimin”, tregon ajo. “Ndërsa pluhuri filloi të ulej, nisa të kuptoja se vendi ku ndodheshim ishte bombarduar. Dëgjova familjen duke bërtitur dhe pashë gjak e pjesë trupash. Fillova të bërtisja: ‘Fëmijët e mi, fëmijët e mi’”.

Nisreen përlotet ndërsa kujton se si i pa dy fëmijët e saj të shtrirë përtokë.

Njëri kishte pësuar lëndime të rënda në kokë, ndërsa tjetri dukej sikur po flinte.

“E dija që në atë moment se i kisha humbur. Ishte e qartë se kishin vdekur”, thotë ajo, duke kujtuar se si nuk mund të lëvizte nga tronditja.

Vëllai i burrit të saj erdhi dhe ia vendosi fëmijët në krahë.

“Nuk mund të flisja. Isha krejtësisht e paaftë për të folur; vetëm lotët më rridhnin në heshtje”, rrëfen ajo. “Të gjithë përreth meje po bërtisnin dhe po qanin”.

Për dy orë, Nisreen i mbajti fëmijët në krahë ndërsa familja, përfshirë ata që ishin të plagosur, mbetën të bllokuar në shtëpinë e dëmtuar, mes të shtënave dhe bombardimeve të vazhdueshme.

Pas kërkesave të përsëritura për ndihmë drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, familja u evakuua përfundimisht në një spital.

Vrasja e familjes së Nisreen ndodhi në një nga ditët më të përgjakshme të luftës së Izraelit kundër Gazës.

Më 8 qershor 2024, forcat izraelite nisën një operacion ushtarak në kampin e refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore, për të shpëtuar katër pengje izraelitë që mbaheshin që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.

Kombet e Bashkuara njoftuan se 89 shtëpi dhe ndërtesa banimi u goditën gjatë gati katër orëve të bombardimeve.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi se 274 palestinezë u vranë dhe 698 u plagosën vetëm në atë ditë.

Tetëmbëdhjetë anëtarë të familjes së burrit të Nisreen u vranë, përfshirë burrin dhe fëmijët e saj, motrën e saj Sabreen (36 vjeçe), vjehrrën, dy vëllezërit e burrit dhe fëmijët e tyre, si dhe anëtarë të tjerë të familjes së gjerë. Një vendim i vështirë

Nisreen u kthye e vetme në tendën e familjes së saj në al-Mawasi, në jug të Gazës, ku po përballej me traumën dhe dhimbjen e humbjes së familjes së saj.

Katër muaj e gjysmë më vonë, Nisreen u gjend përballë një vendimi të vështirë kur kunati i saj – bashkëshorti i motrës së ndjerë dhe njëkohësisht vëllai i bashkëshortit të saj të parë – i propozoi për martesë.

Ai donte të martohej me Nisreen-in dhe që ajo të ndihmonte në kujdesin për katër fëmijët e tyre, të cilët kishin humbur nënën.

“Në fillim e kundërshtova me forcë. Nuk doja të krijoja një familje apo të martohesha”, thotë Nisreen.

Përfundimisht, ajo pranoi sepse donte të kujdesej për fëmijët e motrës së ndjerë, veçanërisht për më të voglin, i cili ishte vetëm një vjeç.

Nisreen nuk e fsheh faktin se pas martesës së saj të dytë nuk kishte ndjenja romantike.

“Unë kisha humbur bashkëshortin, ndërsa ai kishte humbur gruan. Unë kisha humbur fëmijët e mi, ndërsa katër fëmijët kishin humbur nënën e tyre”.

Martesa u mundësoi dy personave të plotësonin rolet e atyre që kishin humbur.

Nisreen gjeti te fëmijët e motrës një ngushëllim të vogël për mungesën e fëmijëve të saj.

Por jeta e saj e re solli sfida të mëdha, veçanërisht gjatë muajve të parë.

Ajo ende mbante zi për bashkëshortin e parë dhe fëmijët e saj, ndërkohë që ajo dhe bashkëshorti i ri përpiqeshin të përshtateshin me njëri-tjetrin.

Personalitetet e tyre të ndryshme dhe situata e re sollën sfida, por gradualisht jeta e tyre u bë më e qëndrueshme.

Nisreen madje mendoi të kishte një fëmijë tjetër.

“I shihja fëmijët e mi të ndjerë në ëndrra çdo ditë. Zhytesha në mendime për ta dhe ata nuk më largoheshin kurrë nga mendja”, kujton ajo. “Kështu që, e inkurajuar nga nëna ime, vendosa të mbetesha shtatzënë dhe ta përjetoja sërish mëmësinë”.

Humbja e dytë

Por tetë muaj më vonë, më 8 korrik 2025, Nisreen u përball me diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë: humbjen e bashkëshortit të saj të dytë.

“Mohammed u zgjua, hëngri mëngjes me fëmijët dhe tha se do të takonte një mik. Pak çaste më vonë, dëgjuam një shpërthim të fuqishëm”, tha ajo.

Pak më vonë, një fqinj i tregoi Nisreen-it se Mohammed ishte vrarë gjatë një sulmi ndaj një grupi njerëzish pranë spitalit Al-Awda në Nuseirat.

Për Nisreen-in, kjo humbje e dytë ishte edhe më e vështirë për t’u përballuar sesa e para.

Pasi besonte se më në fund kishte gjetur njëfarë qëndrueshmërie, jeta e saj u përmbys sërish.

“Ndjehesha sikur isha kthyer sërish në pikën zero”, thotë ajo. “Mendoja për foshnjën që ende nuk kishte lindur, për fëmijët e motrës sime që tashmë kishin humbur si nënën ashtu edhe babanë, dhe për humbjen e re që po përjetoja”.

Muajt e mbetur të shtatzënisë ishin të rëndë për Nisreen-in.

Katër muaj pas vdekjes së Mohammed-it, ajo solli në jetë vajzën e tyre, Sidra-n.

E lindur në mes të hidhërimit

Lindja e Sidra-s i riktheu Nisreen-it dhimbjen për gjithçka që kishte humbur: dy fëmijët e saj, bashkëshortin e parë dhe Mohammed-in.

Edhe pse vajza e saj, e cila mbush një vjeç në tetor, i ka sjellë Nisreen-it një “ngushëllim të vogël” pas tre viteve trishtim, ajo ndjen dhimbje që e bija do të rritet pa baba.

“Të bëhesha sërish nënë më solli gëzim, por ajo ndjesi ishte thellësisht e paplotë. Ajo ishte një ngushëllim i vogël”.

Megjithatë, kujdesi për Sidra-n është bërë prioriteti kryesor i Nisreen-it.

“Jam izoluar më shumë. Preferoj të qëndroj e heshtur për orë të tëra dhe të përqendrohem te vajza ime”, thotë Nisreen. “Kam frikë të bëj zgjedhje të reja apo të përpiqem të nis një jetë tjetër pas gjithçkaje që më ka ndodhur”.

Tani Nisreen jeton me Sidrën në shtëpinë e familjes së saj në Gaza, ndërsa për katër fëmijët e motrës së saj të ndjerë kujdeset gjyshi i tyre. Ajo i viziton ata herë pas here.

Pavarësisht se sa kohë kalon, ajo thotë se nuk arrin t’i kapërcejë tragjeditë e njëpasnjëshme që kanë formësuar jetën e saj.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kaloja gjithë këtë në jetën time. Ndonjëherë më duket sikur jam në ndonjë film indian, për shkak të gjithçkaje që ka ndodhur”, tha ajo. “Por në kushtet e luftës, fatkeqësisht, gjithçka është e mundur”. /Telegrafi/

Lexo edhe

Incident në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, një person përfundon në pranga

Incident në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, një person përfundon në pranga

Oferta e Kurtit për PDK-në, Hamza: Marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk është me ne

Oferta e Kurtit për PDK-në, Hamza: Marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk është me ne

BB: Më 2026, ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 3.1%

BB: Më 2026, ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 3.1%

E ve për herë të dytë: Historia prekëse – e humbjes dhe mbijetesës – e një nëne nga Gaza | Momenti