Në fshatin Gjonaj të Hasit, të shtunën u organizua për herë të katërt manifestimi tradicional “Darka e Lamës”.

Të pranishëm në këtë ngjarje , e cila shënon falënderimin për të korrat dhe begatitë e vitit, u shoqërua me tradita vendase, përgatitjen e flisë gjigante dhe ekspozimin e gatimeve dhe ushqimeve tradicionale nga furrtarë hasjan, moren pjesë përveç banorëve të regjionit të Hasit, ishin edhe nënkryetari i komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si dhe vizitorë nga Shqipëria e vende tjera të huaja.
Kryetari i ShKA “Malësori” në fshatin Gjonaj të Hasit, Haziz Hodaj, tha se “Darka e Lamës” është ndër festat origjinale dhe autoktone që përfaqëson më së miri traditat hasjane.
Nënkryetari i Prizrenit, Kujtim Gashi, theksoi se festa të tilla që kontribuojnë në ruajtjen e traditave shqiptare duhet organizuar dhe përkrahur gjithmonë.
Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport në Prizren, Ajlin Shishko, tha se Hasi ka qenë dhe mbetët trevë e njerëzve punëtorë, bujarë, mikpritës dhe atdhedashës, që ndër breza kanë ruajtur me krenari traditat dhe vlerat tradicionale e kombëtare.
Veterani i arsimit nga Zymi i hasit, Prenk Prenkaj, përgëzoi organizatorët për këtë aktivitet tradicional, i cili e riktheu atë në kohën kur përfundonin të korrurat e drithërave e atyre vjeshtore, dhe popullata në kohë të vështira përballej edhe me dimëra të gjatë.
E për përgatitjen e flisë gjigante, edhe këaj here ishte angazhuar Ramadan Totaj me shokë. Ai tregoi se pse ka edhe shije të veçantë kjo fli.
Ndryshe, ky aktivitet i veçantë kësaj radhe nuk e kishte shkëlqimin e duhur, për shkak të dy rasteve tragjike që kanë ndodhur gjatë javës së fundit, ku si pasojë e aksidenteve kanë humbur dy të rinj nga fshati, Gjonaj, dhe për këtë arsye ka munguar pjesa artistike e manifestimit nga organizatori SHKA ” Malësori”.
Darka e Lamës, e njohur edhe si darka e lamijeve, e fushës dhe e bereqetit, është një festë dhe ditë tradicionale e shënuar, që në fakt ka të bëjë me kremtimin e përfundimit të të korrurave të drithërave, e të korrave vjeshtore, e shtruar për të festuar vitin e bereqetshëm./Tv Prizreni/




