Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në Gaza, organizata akuzon Izraelin për sulm ndaj klinikës

Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në Gaza, organizata akuzon Izraelin për sulm ndaj klinikës

Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në Gaza, organizata akuzon Izraelin për sulm ndaj klinikës

Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” (MSF) janë vrarë nga një sulm izraelit në qytetin e Gazës. Organizata ka bërë të ditur se sulmi goditi drejtpërdrejt njërën prej klinikave të saj, vendndodhjen e së cilës ia kishte komunikuar më parë ushtrisë izraelite, raporton BBC.

Sponsor 3M Express

Sipas MSF-së, viktimat punonin si roje sigurie në klinikë. Organizata është shprehur e tronditur dhe e indinjuar nga sulmi, duke theksuar se objekti ishte i shënuar qartë me logon e saj dhe se ushtria izraelite ishte në dijeni të vendndodhjes së tij.

Me vdekjen e dy punonjësve, numri i personave të organizatës të vrarë në Gaza ka arritur në 17.

Ndërkaq, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë pretenduar se dy viktimat ishin pjesëtarë të krahut ushtarak të Hamasit, të cilët vepronin si roje sigurie në klinikën e drejtuar nga MSF-ja.

Sipas ushtrisë izraelite, dy personat po përgatitnin sulme kundër civilëve izraelitë dhe ushtarëve të saj.

IDF-ja ka deklaruar se sulmi nuk ishte drejtuar ndaj një spitali dhe se infrastruktura mjekësore nuk ishte dëmtuar. Po ashtu, ushtria pretendoi se para sulmit kishte marrë masa për të shmangur viktimat civile. Në deklaratën e saj, ajo akuzoi Hamasin se shfrytëzon organizatat ndërkombëtare për të fshehur aktivitetet e tij.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka dënuar sulmet ndaj institucioneve shëndetësore dhe punonjësve mjekësorë në Gaza, duke i cilësuar ato si të papranueshme.

Dhuna në Gaza ka vazhduar edhe pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor të vitit të kaluar. Sulmet izraelite kanë vijuar në territorin palestinez, ku jetojnë rreth 2.1 milionë njerëz, shumica prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, të paktën 1 mijë e 705 persona janë vrarë në territor gjatë 13 muajve të fundit. Kombet e Bashkuara i kanë cilësuar të besueshme shifrat e publikuara nga kjo ministri.

Gjendja humanitare në Gaza vazhdon të jetë tepër e rëndë. Reshjet e dendura të shiut në fillim të këtij muaji kanë shkaktuar përmbytje dhe kanë dëmtuar dhjetëra mijëra strehimore ku janë vendosur familjet e zhvendosura.

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit, i cili kontrollon pikat kufitare të Gazës, të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave humanitare. Furnizimet e nevojshme për përballimin e dimrit përfshijnë tenda, ngrohëse, pompa uji, vaksina dhe barna për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit, më 7 tetor 2023. Gjatë këtij sulmi u vranë rreth 1 mijë e 200 persona, ndërsa 251 të tjerë u morën peng.

Që nga fillimi i luftës, më shumë se 74 mijë e 770 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

11 të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Shqipëri, mes tyre policë, gazetarë dhe protestues

11 të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Shqipëri, mes tyre policë, gazetarë dhe protestues

“Si një ekip i vetëm”: KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

“Si një ekip i vetëm”: KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Rama: Prokurori mori vendim të mos lejohet puna për muralin e Nënë Terezës derisa të vendosë gjykata, ne i kishim të gjitha lejet

Rama: Prokurori mori vendim të mos lejohet puna për muralin e Nënë Terezës derisa të vendosë gjykata, ne i kishim të gjitha lejet