Partia Demokratike ka shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet afatmesme të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Sipas projeksioneve të Fox News Decision Desk, demokratët kanë arritur të përmbysin disa gara të rëndësishme elektorale, duke fituar edhe në shtete që tradicionalisht konsideroheshin bastione republikane.

Rezultati përbën një goditje të rëndë politike për presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane, e cila deri më tani kontrollonte Kongresin.
Një prej rezultateve më të bujshme u shënua në Teksas, ku demokrati James Talarico mposhti republikanin Ken Paxton në garën për Senatin amerikan. Kjo është hera e parë në gati katër dekada që një demokrat fiton një ulëse në Senat në këtë shtet.
Demokratët fituan edhe garën për guvernator në Teksas, ku Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan Greg Abbott, duke i dhënë fund dominimit republikan në këtë post që zgjaste prej 32 vjetësh.
Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët erdhi në Miçigan, ku Abdul El-Sayed mposhti republikanin Mike Rogers në garën për Senat. Sipas projeksioneve, demokratët do të kenë të paktën 54 ulëse në Senat.
Në anën tjetër, republikanët arritën të ruajnë disa pozita të rëndësishme. Julia Letlow fitoi garën për Senat në Luiziana, ndërsa senatori Tommy Tuberville u zgjodh guvernator i Alabamës. Në Florida, republikani Byron Donalds fitoi garën për guvernator, duke u bërë guvernatori i parë me ngjyrë në historinë e këtij shteti.
Pas rezultateve, Trump deklaroi se do ta përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar ligjet që nuk i mbështet, por la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me demokratët.
“Është njëra prej fuqive më të forta që ka një president”, deklaroi Trump për Fox News, duke paralajmëruar se do të përdorë veton për projektligjet që, sipas tij, janë të papranueshme.
Ndërkohë, udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e cilësoi rezultatin si fitore të rëndësishme politike, duke premtuar se partia e tij do të punojë për t’i dhënë fund asaj që e quajti “makth kombëtar”.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama gjithashtu përshëndeti fitoren e demokratëve, duke thënë se qytetarët amerikanë kanë dërguar një mesazh të qartë për nevojën e një politike që bashkon njerëzit dhe ofron zgjidhje konkrete.
Humbjet republikane janë shoqëruar edhe me kritika brenda vetë partisë.
Burimi: Dukagjini



