Ngjarjet në parlamentin e landit të Saksonisë-Anhaltit kanë shkaktuar reagime edhe në Berlin. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një politikan i partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) është zgjedhur kryetar i një parlamenti të landit gjerman.

Bëhet fjalë për Tobias Rausch, i cili u zgjodh të martën në Magdeburg, kryeqytetin e Saksonisë-Anhaltit. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në këtë land e klasifikon AfD-në si organizatë të dëshmuar të ekstremit të djathtë.
Rausch nuk mori vetëm votat e partisë së tij dhe të Aleancës për Arsyeshmëri Sociale dhe Ekonomike (BSW), por edhe katër vota shtesë. Shumica e vëzhguesve dyshojnë se këto vota mund të kenë ardhur nga deputetë konservatorë të CDU-së, partisë së kancelarit gjerman Friedrich Merz, e cila në nivel federal qeveris në koalicion me socialdemokratët.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave, Lars Klingbeil (SPD), e cilësoi këtë si një thyerje të një tabuje dhe kërkoi që CDU-ja të shpjegojë se si mundi të ndodhte, raporton dw.
Edhe drejtuesi i grupit parlamentar të CDU-së, Thorsten Frei, e quajti situatën “jashtëzakonisht shqetësuese”, megjithëse theksoi se votimi ishte i fshehtë dhe nuk mund të dihet se kush votoi për Rausch.
AfD fitoi bindshëm zgjedhjet në Saksoninë-Anhalt më 6 shtator. Partia kërkon një politikë shumë më të ashpër ndaj migracionit, kundërshton politikat aktuale klimatike dhe kërkon ndryshime të mëdha në sistemin publik të transmetimeve.
Partia, ku veprojnë edhe politikanë me qëndrime të afërta me Rusinë, kundërshton vazhdimin e ndihmës gjermane për Ukrainën. Ndërkohë, AfD nuk ka shumicë të vetme në parlamentin e landit dhe po zhvillon bisedime për mundësinë e formimit të një qeverie të pakicës.
Rasti ka rihapur debatin për të ashtuquajturën “Brandmauer”, ose “muri mbrojtës”, parimin sipas të cilit partitë demokratike në Gjermani shmangin çdo bashkëpunim me AfD-në.
Ky parim tashmë është dobësuar në nivel lokal dhe komunal, ndërsa zhvillimet në Saksoninë-Anhalt ngrenë pyetjen nëse po krijohen çarje edhe në nivel të landeve. CDU-ja vazhdon të deklarojë se nuk do të bashkëpunojë me AfD-në, ndërsa mbetet e paqartë nëse ky qëndrim do të ruhet edhe në javët në vijim. /Telegrafi/




