Një agjenci qeveritare holandeze njoftoi se njëzet e gjashtë breshka “shumë të rralla” janë sekuestruar nga bagazhet e një udhëtari në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.

Autoriteti Holandez për Sigurinë e Ushqimit dhe Produkteve të Konsumatorit (NVWA) bëri të ditur se një burrë, i cili po udhëtonte nga Meksika për në Hong Kong përmes këtij aeroporti, u arrestua të shtunën pasi oficerët doganorë gjetën breshka të llojit “Vallarta mud turtle” (breshka balte të Vallartës).
Kjo specie e rrezikuar – që mendohet të jetë lloji më i vogël i breshkave të ujërave të ëmbla në botë, me një gjatësi maksimale prej rreth 10 cm – ishte mbështjellë me shirit ngjitës për t’u pamundësuar lëvizjen.
Sipas NVWA-së, breshkat “me gjasë janë vjedhur” nga natyra në vendin e tyre të origjinës, Meksikën.
Agjencia njoftoi se shumica e breshkave u gjetën në një kuti së bashku me një makinë lodër, ndërsa të tjerat ndodheshin brenda një çorapeje të mbyllur, e cila ishte futur në një valixhe.
Personi i arrestuar ndodhet ende në paraburgim dhe është duke u zhvilluar një hetim.
Ndërkohë, breshkat po marrin kujdesin e duhur në një “strehimore të specializuar”, bëri të ditur NVWA.
Në vitin 2025, organizata joqeveritare amerikane “Turtle Island” vlerësoi se në natyrë kanë mbetur jo më shumë se 300 breshka të llojit “Vallarta mud turtle”.
Ato janë klasifikuar si specie në rrezik kritik zhdukjeje në listën e publikuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Sipas portalit të lajmeve mjedisore “Mongabay”, një breshkë e këtij lloji mund të shitet deri në 10,000 euro ose më shumë në tregun e zi në Azi. /Telegrafi/





