Skuadra nga Suhareka doli fituese në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në duelin e parë pas pauzës për ndeshjet e kombëtareve.
Pjesa e parë u zhvillua me lojë të baraspeshuar, ku të dyja skuadrat u përpoqën të gjenin hapësira drejt portës kundërshtare, por pa arritur të krijonin raste të shumta për shënim. Si rrjedhojë, ekipet shkuan në pushim me rezultat të pandryshuar, 0:0.

Ritmi i lojës u rrit në pjesën e dytë, me më shumë aksione dhe përpjekje nga të dyja skuadrat. Megjithatë, ishte Ballkani që arriti ta konkretizonte një prej mundësive të krijuara.
Goli i fitores erdhi në minutën e 60-të, kur Albin Berisha realizoi për 0:1, duke i dhënë epërsinë skuadrës mysafire. Llapi tentoi të reagonte deri në fund të takimit, por vendasit nuk arritën ta shmangnin humbjen.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në vendin e tretë në tabelë me 13 pikë të grumbulluara, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e parafundit, të nëntën, me vetëm tri pikë.
Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të luajë para tifozëve të vet kundër Dritës, kurse Llapi do të kërkojë pikë në udhëtim ndaj Feronikelit ’74.
Burimi: RTKLive




