Faton Fetahu, Avokati i angazhuar nga PDK-ja, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedurën e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, deklarata e sotme e kryeministrit Albin Kurti se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë, si dhe nga referimi i tij në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026, “është tërësisht i paqëndrueshëm juridikisht dhe devijon qartazi nga konstatimet që vetë Gjykata Kushtetuese ka dhënë në atë Aktgjykim”.
“Afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, i cili rregullon institutin e veçantë të procedurës së përshpejtuar. Mirëpo, kjo nuk është rruga e vetme që njeh Rregullorja. Neni 123 përcakton shprehimisht se, me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, Kuvendi mund të vendosë për shmangie nga afatet procedurale. Pikërisht ky institut mund të zbatohet për fazën e shqyrtimit të dytë të këtij Projektligji”, tha Fetahu.
Ai ka kundërshtuar edhe referimin në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024.
“Situata e sotme është thelbësisht tjetër. Materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve të shtunën, më 3 tetor 2026, ndërsa leximi i parë është zhvilluar dhe përfunduar të hënën, më 5 tetor. Deputetët kanë pasur rreth 48 orë për shqyrtimin e materialit para leximit të parë, ndërsa sot kërkohet vetëm zhvillimi i fazës që çon në leximin e dytë”, ka shkruar ai.




