Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), gjatë rreth 60 vizitave dhe inspektimeve në terren ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare, ka evidentuar 51 raste me parregullsi të ndryshme tatimore.

Sipas njoftimit të ATK-së, parregullsitë e identifikuara përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve të punësuar dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 24 gjoba.
ATK-ja ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, si pjesë e angazhimit për mbikëqyrjen e bizneseve që shesin përmes internetit dhe formalizimin e këtij sektori.
Sipas këtij institucioni, shitjet online kanë shënuar zhvillim dhe përhapje të madhe në Kosovë gjatë viteve të fundit, por krahas bizneseve të regjistruara dhe që operojnë në mënyrë të rregullt, vazhdojnë të jenë të pranishme edhe subjekte që nuk i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe tatimore.
ATK-ja ka rikujtuar se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Institucioni ka theksuar se shitja përmes rrjeteve sociale, platformave online apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk i përjashton bizneset nga këto detyrime.
Në fund, ATK-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet ndaj këtij sektori, në bashkëpunim me institucionet kompetente, me synim identifikimin e aktiviteteve të paregjistruara, luftimin e ekonomisë joformale dhe garantimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.
Sipas ATK-së, formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore mbeten detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë./Telegrafi.





