Tre astronautë amerikanë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Astronautët kanë plotësuar fletëvotimet në mënyrë elektronike dhe më pas i kanë dërguar ato në mënyrë të sigurt te autoritetet zgjedhore në Tokë.

“Po, mund të votosh edhe nga hapësira! Të tre anëtarët amerikanë të ekuipazhit patën privilegjin të votojnë nga stacioni hapësinor”, shkroi astronauti Anil Menon në platformën X.
Në një video të publikuar, Menon tregoi dhomën e tij në stacionin hapësinor, e cila i shërbeu edhe si kabinë votimi.
“Kjo është dhoma ime, e cila shërben edhe si kabinë votimi për mua. Brenda saj ndodhet kompjuteri im, përmes të cilit arrita të plotësoj një formular elektronik dhe ta dërgoj në Harris County, në mënyrë që të votoj sot”, tha Menon.
Astronauti tregoi gjithashtu ngjitësen me mbishkrimin “Unë votova”, të vendosur mbi kostumin e tij hapësinor.
“Sot kemi privilegjin të votojmë edhe këtu, njësoj si ju në Tokë”, u shpreh ai.
Astronautët e NASA-s kanë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet amerikane nga hapësira që prej vitit 1997. Sipas agjencisë hapësinore amerikane, fletëvotimet transmetohen në formë të enkriptuar drejt autoriteteve përkatëse në Tokë.
Në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA janë në garë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe 35 nga 100 vendet në Senat.
Burimi: RTKLive




