Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësim për sigurinë dhe mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medialë që po raportojnë nga protestat, pasi disa prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës dhe përdorimit të sprejit nga zyrtarët policorë gjatë mbrëmjes së kaluar.
Përmes një njoftimi, AGK-ja u ka bërë thirrje gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë që gjatë raportimit nga protestat të përdorin jelekët PRESS të shpërndarë nga Asociacioni, apo mjete të tjera identifikuese që i dallojnë qartë si pjesëtarë të mediave.
“Njëherësh, i ftojmë gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë medialë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit, të ruajnë distancë nga situatat që mund të paraqesin rrezik dhe t’i japin përparësi sigurisë dhe mirëqenies së tyre fizike”, theksohet në njoftim transmeton Klankosova.tv
Ky asociacion u ka bërë thirrje edhe redaksive që t’i pajisin ekipet e tyre në terren me pajisjet e nevojshme mbrojtëse dhe të marrin masat e nevojshme për të minimizuar rreziqet gjatë raportimit nga protestat dhe situatat e tensionuara.
“Siguria e gazetarëve në terren mbetet prioritet dhe askush nuk duhet ta rrezikojë shëndetin apo sigurinë e vet gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në përfundim të reagimit të AGK-së.




