Sot, në orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë pritet të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e rezervave shtetërore, ku të akuzuar janë ish-ministrja Rozeta Hajdari, dy zyrtarët e ministrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe afaristi Ridvan Muharremi.

Seanca e sotme mbahet pasi Gjykata e Apelit, më 13 nëntor 2026, njoftoi se kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes. Apeli la në fuqi aktvendimin e 13 marsit 2026 të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke vërtetuar kështu aktakuzën ndaj të katër të pandehurve.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngriti aktakuzën më 11 nëntor 2025. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare gjatë procesit të kontraktimit për furnizimin me mallra të rezervave shtetërore, me qëllim të sigurimit të përfitimit pasuror për persona të tjerë.
Prokuroria pretendon se si pasojë e këtyre veprimeve, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2.912.134,78 eurosh.
Përveç kësaj, Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se, pa autorizim, ia kanë vënë në dispozicion Ridvan Muharremit informacionin lidhur me vendndodhjen e rezervave shtetërore.
Ndërkaq, afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe ka propozuar operatorë ekonomikë për furnizimin me mallra të rezervave shtetërore.
Pas ngritjes së aktakuzës, ish-ministrja Rozeta Hajdari kishte mbrojtur vendimet e marra gjatë kohës sa ishte në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ajo kishte deklaruar se furnizimi me produkte bazë për rezervat shtetërore ishte realizuar në një periudhë të vështirë për vendin.
Burimi: Insajderi





