Një seri vjedhjesh të rënda që për muaj të tërë kishin në shënjestër fabrikat dhe depot e bizneseve në Fushë Kosovë ka rezultuar me arrestimin e pesë personave. Pas një hetimi disamujor, përgjimeve të telekomunikimeve dhe vëzhgimeve në terren, Policia ka arritur të identifikojë personat që dyshohet se qëndrojnë pas vjedhjeve, dëmet e deklaruara nga të cilat arrijnë në rreth 200 mijë euro, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pesë personat e arrestuar janë Fidaim Potoku, Valbon Rrustemi, Sokol Rama, Arton Rama dhe Anton Bajramaj.
Vjedhjet kishin nisur në korrik të këtij viti dhe kishin vazhduar deri në tetor, duke goditur biznese në Miradi të Epërme, Sllatinë të Madhe, Bresje dhe në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.
Të dyshuarit dyshohet se kishin depërtuar me forcë në brendësi të objekteve afariste, kryesisht fabrikave dhe depove, duke përdorur mjete të forta dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale e financiare.
Viktimat e këtyre vjedhjeve, M.P, A.Rr, I.R, E.B dhe I.B, kishin deklaruar dëme në vlerë të përgjithshme prej rreth 200 mijë eurosh.
Seria e vjedhjeve kishte vënë në lëvizje hetuesit e Stacionit Policor në Fushë Kosovë, të cilët, në bashkëpunim me hetuesit rajonalë dhe njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, kishin ndërmarrë një sërë veprimesh operative dhe hetimore.
Me urdhëresë të Gjykatës kompetente, ndaj personave të dyshuar kishin nisur të zbatoheshin edhe masat e veçanta hetimore, përfshirë përgjimin e telekomunikimeve dhe vëzhgimin në vende publike.
Hetimet fillimisht kishin rezultuar me arrestimin e katër personave, të cilët pas intervistimit ishin ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Por operacioni nuk kishte përfunduar me kaq. Pas veprimeve shtesë hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë, Policia ka arritur të arrestojë edhe të dyshuarin e pestë.
Edhe ky i fundit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Ndaj pesë të arrestuarve po zhvillohen hetime për një seri vjedhjesh dhe vjedhjesh të rënda të kryera gjatë muajve të fundit në Fushë Kosovë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





