Diabeti mund të ketë një bazë gjenetike, por kjo nuk do të thotë se fëmijët e prindërve me diabet do ta zhvillojnë patjetër këtë sëmundje.

Endokrinologia Ariana Shaqiri gjatw podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati” ka shpjeguar se trashëgimia luan rol në shfaqjen e diabetit, ndërsa mënyra e jetesës mund të ndikojë ndjeshëm në rrezikun e zhvillimit të tij, veçanërisht te diabeti i tipit 2.
Sipas Shaqirit, predispozita gjenetike është e pranishme në forma të ndryshme të diabetit, përfshirë tipin 1 dhe tipin 2, por faktorët trashëgues nuk janë të vetmit që përcaktojnë nëse një person do të preket nga sëmundja.
“Ekziston predispozita gjenetike edhe te diabeti tip 1, edhe te tipi 2”, u shpreh endokrinologia.
Ajo theksoi se te diabeti i tipit 2, përveç gjenetikës, rëndësi të veçantë ka kujdesi që individi tregon ndaj shëndetit gjatë jetës.
Sipas saj, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt dhe ruajtja e një gjendjeje të mirë metabolike mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes.
“Te diabeti i tipit 2 shihet që, nëse pacienti është i kujdesshëm gjatë jetës, bën një stil të shëndetshëm të jetesës, ushqehet shëndetshëm dhe ka aktivitet fizik”, shpjegoi Shaqiri, duke përmendur edhe rekomandimin për të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë.
Endokrinologia sqaroi se ruajtja e masës muskulore, shëndeti i mëlçisë dhe funksionimi i mirë i metabolizmit janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm.
Sipas saj, një mënyrë e tillë jetese mund të ndikojë që diabeti i tipit 2 të shfaqet shumë më vonë ose, në disa raste, të mos zhvillohet fare.
“Ka mundësi që edhe shfaqja e diabetit të shtyhet për shumë vite, nëse edhe shfaqet, por ka mundësi që edhe të mos shfaqet”, deklaroi ajo.
Shaqiri theksoi se prania e diabetit te prindërit apo te anëtarët e tjerë të familjes nuk duhet të konsiderohet si një përcaktim i pashmangshëm për brezat e ardhshëm.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com





