Sulmuesi gjerman, i cili iu bashkua Vancouver Whitecaps në gusht të vitit 2025, pas largimit nga Bayern Munich, ka folur për dallimet mes futbollit amerikan dhe atij evropian.
Muller, i cili deri më tani ka realizuar nëntë gola dhe gjashtë asistime në 25 paraqitje në MLS, thekson se mungesa e sistemit të rënies nga liga ndikon në nivelin e presionit mbi klubet dhe futbollistët.

“Nuk ka rënie nga liga. Nuk ka presion të madh. Kur jemi në proces rindërtimi të ekipit, askush nuk është i lumtur kur humbim, por kjo është krejtësisht ndryshe nga lufta për të mbijetuar në ligë”, ka deklaruar Muller.
Ai ka shpjeguar se në futbollin evropian rënia nga liga sjell pasoja të mëdha financiare dhe sportive, pasi klubet mund të humbasin buxhetin, punonjësit dhe madje edhe futbollistët që nuk kanë më siguri për kontratat e tyre.
Gjermani ka vënë në pikëpyetje edhe qëndrueshmërinë e paraqitjeve të futbollistëve në MLS, duke theksuar se shpesh vërehen dallime të mëdha mes momenteve të mira dhe atyre të dobëta.
“Shoh shumë paraqitje individuale vërtet të mira, por ndonjëherë më mungon vazhdimësia. Dallimi mes paraqitjeve të mira dhe të këqija është shumë i madh. Përqendrimi i futbollistëve nuk është i mjaftueshëm për një ndeshje prej 90 minutash”, ka shtuar ai.
Kritika të ngjashme ndaj sistemit të MLS-së kishte bërë edhe trajneri Mauricio Pochettino, i cili më herët kishte theksuar se mungesa e pasojave sportive për klubet që nuk arrijnë rezultate të mira ndikon në motivimin dhe konkurrencën.
Ndërkohë, futja e sistemit të promovimit dhe rënies nga liga nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt në futbollin amerikan.
Burimi: RTKLive





