Një 21-vjeçare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në Britani, pasi vetura në të cilën ndodhej si pasagjere ishte përfshirë në një ndjekje të shkurtër nga policia, transmeton klankosova.tv.

Sipas DailyMail, aksidenti fatal ndodhi pak pas orës 23:00 të së premtes, më 27 nëntor në rajonin e Staffordshire.
Në aksident u përfshinë dy vetura, një “Seat Ibiza” dhe një “Vauxhall Astra”, të cilat drejtoheshin nga persona privatë.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi pas një ndjekjeje të shkurtër policore, ku një veturë e policisë ishte vënë në ndjekje të “Seat Ibiza”-s.
Pasagjerja 21-vjeçare, e cila ndodhej në ulësen e përparme të veturës “Seat”, ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, dy persona të tjerë mbetën të lënduar dhe u dërguan në spital nga ekipet e emergjencës. Sipas autoriteteve, lëndimet e tyre nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Policia ka arrestuar një 23-vjeçar nga zona e Walsall-it, nën dyshimin për shkaktim të vdekjes përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit. Drejtuesi i veturës tjetër, “Vauxhall Astra”, po bashkëpunon me hetuesit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se familjarët e viktimës janë njoftuar dhe po marrin mbështetje nga zyrtarë të specializuar të policisë.
Për shkak të përfshirjes së policisë në ngjarjet para aksidentit, rasti i është referuar Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë, e cila do të shqyrtojë rrethanat e ndërhyrjes policore.
Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve dhe personave që kanë qenë në zonë në momentin e aksidentit, apo që kanë parë dy veturat para përplasjes, të japin informacione që mund të ndihmojnë hetimet.





