By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret ende larg
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret ende larg
TOP Momenti

Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret ende larg

Momenti
Published: June 11, 2026




Foto: Laura Hasani





 

Your browser does not support the video tag.


Pas një viti e gjysmë paqëndrueshmëri institucionale, zgjedhjet e 7 qershorit kanë hapur një fazë të re politike në Kosovë, por jo menjëherë edhe procesin e formimit të institucioneve.

Your browser does not support the video tag.


Për këtë të fundit, partitë politike sinjalizojnë se do të duhet ende kohë.


Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka dalë forca e parë politike, thotë se nuk do të ketë negociata zyrtare për koalicione të mundshme para përfundimit të numërimit edhe të votave të kandidatëve për deputetë.


“Është e rëndësishme që ta dimë përfundimisht se cila është përbërja e Kuvendit të ri, e legjislaturës së 11-të”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arbërie Nagavci nga kjo parti.


Në këtë fazë, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh qëndrim të qartë për një koalicion pa LVV-në, ndërsa subjektet tjera politike lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit mes tyre.


Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se vonesat në nisjen e negociatave mund të ndikojnë në funksionalizimin e institucioneve të reja.


Sipas tyre, ato mund të bëhen edhe para certifikimit zyrtar të rezultateve, pasi ndarja e forcave politike, në një masë të madhe, tashmë është e qartë.


Kur priten rezultatet?


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet përfundimtare pritet t’i shpallë më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre planifikohet të përfundojë deri më 6 korrik.


Siç qëndrojnë të dhënat në ueb-faqen e KQZ-së aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.47 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.43 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.96 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.51 për qind dhe Lista Serbe me 6.76 për qind.


Deri në orën 15:00 të datës 11 qershor janë numëruar edhe rreth 90 për qind e votave të kandidatëve për deputetë, ndërsa nuk janë numëruar ende votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.


Partisë ose koalicionit qeverisës i duhen së paku 61 mandate deputetësh nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.


Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare.


LVV: Bisedime vetëm pas pasqyrës së plotë të Kuvendit


Nga Lëvizja Vetëvendosje theksojnë se çdo diskutim zyrtar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës duhet të presë përfundimin e numërimit të votave për deputetë, për të pasur një pasqyrë të plotë të përbërjes së Kuvendit.


Arbërie Nagavci, ish-shefe e grupit parlamentar të LVV-së dhe aktualisht kandidate për deputete, nuk e përjashton mundësinë e kontakteve joformale me partitë e tjera, por thekson se negociatat serioze mund të nisin vetëm pasi të përfundojë procesi i numërimit.


Sipas saj, është e domosdoshme të dihet përbërja përfundimtare e Kuvendit, përfshirë edhe deputetët nga komunitetet joshumicë, para se të bëhet ndonjë marrëveshje politike.


“Është e rëndësishme ta kemi të qartë përbërjen e legjislaturës së re, dhe më pas të vazhdohet me formimin e Qeverisë dhe, pa humbur kohë, edhe me zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, thotë Nagavci për Radion Evropa e Lirë.


Dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit në përputhje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese çoi automatikisht në shpërndarjen e tij mesnatën e 28 prillit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 7 qershor.


Sistemi politik në Kosovë është i tillë që për një numër vendimesh të rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e presidentit, kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.


Kjo e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet partive dhe arritjen e marrëveshjeve politike.


Nagavci thotë se një president unifikues, që nuk është i lidhur ngushtë me partitë politike, do të ishte zgjidhje e favorshme për stabilitet institucional.


PDK: Marrëveshjet duhet të arrihen para konstituimit të Kuvendit


Partia Demokratike e Kosovës shpreh gatishmëri për bashkëpunim me subjektet e tjera politike dhe nuk vendosi vija të kuqe në raport me asnjë parti – përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje – në funksion të arritjes së një marrëveshjeje eventuale për formimin e institucioneve të reja.


Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me drejtuesit e kësaj partie për të marrë qëndrim të detajuar mbi mënyrën se si e shohin një marrëveshje të tillë.


Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi për mediat më 8 qershor se partia e tij është e hapur për bisedime me të gjitha subjektet politike, pa përjashtuar as LVV-në, me të cilën, në të kaluarën, ka pasur dallime të theksuara politike dhe retorikë të ashpër.


“Mendoj se për të pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet të ketë marrëveshje politike qysh tash, ende pa filluar konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit”, tha Hamza.


Ai shtoi se preferencë e tij do të ishte krijimi i një qeverie nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.


LDK: Vonesa dëmton procesin politik


Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe marrëveshje për institucionet e reja, por, sipas tyre, nisma duhet të vijë nga partia fituese, LVV.


Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se bisedimet duhet të fillojnë menjëherë dhe se nuk ka arsye të pritet certifikimi i rezultateve.


“Unë e quaj arrogancë politike çdo vonesë, çdo ditë të humbur dhe çdo ditë me mungesë bashkëpunimi. Është sinjal i keq”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.


Ai shton se të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe LDK-në, duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm çështje vullneti politik, por edhe pjesë e frymës kushtetuese.


“Në momentin kur LDK-ja të ulet në tavolinë për bisedime, do të jetë e gatshme të diskutojë si për zgjedhjen e presidentit, ashtu edhe për formimin e Qeverisë si institucion”, thekson Haziri.


Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja ka garuar me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.


Pas shpalljes së rezultateve të para, Osmani ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e saj, por, në një postim në Facebook të nesërmen, ka shkruar se emri i saj “as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.


AAK: Pa LVV-në në Qeveri dhe në pritje të certifikimit


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban një qëndrim më të prerë, duke deklaruar se nuk do të hyjë në marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.


Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, thotë për Radion Evropa e Lirë se, fillimisht, duhet të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve, e më pas të diskutohen opsionet për formimin e institucioneve të reja.


“Duhet pritur certifikimi dhe pastaj të shohim se si do të ecim më tutje”, thotë ai, duke shtuar se AAK-ja preferon një koalicion të partive që deri tani kanë qenë në opozitë.


Sipas tij, LVV-ja duhet të kalojë në opozitë, për shkak të “dëmeve” që i ka shkaktuar vendit.


Kritikat e AAK-së ndaj Qeverisë së LVV-së kanë qenë të vazhdueshme – qoftë për stagnim ekonomik apo për prishje të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë – por ato nuk janë përfillur nga partia në pushtet.


Pa marrëveshje politike, vendi rrezikon zgjedhje të reja


Analisti dhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, vlerëson se nisja e bisedimeve zyrtare ndërmjet subjekteve politike për arritjen e një marrëveshjeje që do të çonte drejt konsolidimit të institucioneve të reja, nuk duhet të presë domosdoshmërisht certifikimin e rezultateve zgjedhore.


Megjithatë, ai nuk pret që bisedimet të fillojnë pa një pasqyrë më të qartë të përbërjes së re të Kuvendit, e cila do të kompletohet pas numërimit të të gjitha votave – përfshirë ato të diasporës, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, që në total arrijnë rreth 130 mijë.


“Votat e diasporës mund ta ndryshojnë numrin e deputetëve, por jo renditjen e partive politike”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.Sipas tij, partitë politike i presin këto rezultate për të bërë kalkulimet përfundimtare, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje si forca e parë.


Ai thotë se nëse LVV-ja siguron mbi 50 deputetë, kjo do ta ndryshonte ndjeshëm balancën politike, duke i mundësuar formimin e institucioneve me komunitetet joserbe, të cilat i kanë dhjetë ulëse në Kuvend, pa vështirësi të mëdha.


“Do të shohim se sa serioze është LVV-ja për bashkëpunim kur t’i qaset formimit të Qeverisë. Nëse shkon pa koalicion dhe pa marrëveshje në pako për kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin, është shumë e vështirë të sigurohen 80 vota për presidentin”, thekson ai.


Nëse presidenti nuk zgjidhet, Paçarizi paralajmëron mundësinë e zgjedhjeve të reja, ndërsa garën politike mes partive e sheh të orientuar drejt postit të kryeministrit.


Ai vlerëson se vendimet e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese nuk lënë hapësirë për zvarritje të qëllimshme të proceseve politike, por nuk e përjashton mundësinë e shfrytëzimit të vakumeve procedurale për kalkulime politike.


“Çështje si rendi i zgjedhjes së institucioneve mund të keqpërdoren. Aktualisht diskutohet nëse duhet të zgjidhet Qeveria apo presidenti pas konstituimit të Kuvendit. Por, çdo veprim pa një marrëveshje në pako për pozitat kryesore, mund ta çojë vendin në zgjedhje”, thotë Paçarizi.


“Kauza fiktive” si pretekst ligjor për zvarritje


Në rast se partitë politike përplasen rreth rendit të formimit të institucioneve – nëse fillimisht duhet të zgjidhet Qeveria apo presidenti – debati i tillë mund të përdoret si “kauzë fiktive” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, vlerëson Vullnet Bugaqku, ekspert i çështjeve juridike në Institutin Demokratik të Kosovës.


Sipas tij, një qasje e tillë nuk do të kishte bazë reale juridike dhe do të shërbente kryesisht për zvarritjen e proceseve dhe fitimin e kohës nga subjektet politike.


“Për të pasur një rast kushtetues, duhet të ketë një vendim ose shkelje procedurale në Kuvend. Nuk besoj se Gjykata do ta pranonte si pyetje se a duhet të zgjidhet më parë Qeveria apo presidenti”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.


Ai shton se hapësirë për interpretim mund të krijohet vetëm nëse subjektet politike dështojnë të përmbushin afatin për konstituimin e Kuvendit, i cili duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve.Në një rast të tillë, sipas tij, mund të lindin situata që kërkojnë sqarim institucional.


E, për të shmangur një cikël të ri bllokadash institucionale dhe pasojash politike, ai thotë se zgjidhja më e shpejtë dhe më funksionale mbetet arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.


Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një procesi tjetër të parakohshëm më 28 dhjetor.


Zgjedhjet e para nuk prodhuan qeveri funksionale, ndërsa ato të dytat, edhe pse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51 për qind të votave, nuk arritën të çojnë në marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.


source

You Might Also Like

Kurti për Die Presse: Po presim rezultatin përfundimtar, do të hyjmë në bisedime me partitë tjera
Solström: Si Suedia edhe Maqedonia kanë natyrë të bukur, por duhet më shumë zhvillim infrastrukturor dhe ekonomik
Sulmi me kallashnikov ndaj autobusit në Malishevë, deklarohet Prokuroria
Futja e hershme e vezëve në ushqimin e bebeve mund të ulë rrezikun e alergjive
Konflikti në Lindje të Mesme, Banka Botërore paralajmëron rreziqe të reja

You Might Also Like

Shoferi përplas qëllimisht me makinë katër persona – çfarë ndodhi në Shkodër? [video]
TOP Momenti

Shoferi përplas qëllimisht me makinë katër persona – çfarë ndodhi në Shkodër? [video]

June 11, 2026
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 12-të, marshim drejt Kryeministrisë dhe 5 kërkesat e qytetarëve
TOP Momenti

Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 12-të, marshim drejt Kryeministrisë dhe 5 kërkesat e qytetarëve

June 11, 2026
Rasti “MEGA”, Prokurori Kodraliu thotë se AKI dhe FBI luajtën rol kyç
TOP Momenti

Rasti “MEGA”, Prokurori Kodraliu thotë se AKI dhe FBI luajtën rol kyç

June 11, 2026
Gërvalla: Ndihma juridike falas, garanci për qasje në drejtësi
TOP Momenti

Gërvalla: Ndihma juridike falas, garanci për qasje në drejtësi

June 11, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?