Kryeministri në detyrë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohen pas pak në Kuvend, mëson Gazeta Express.
Kurti dhe Abdixhiku takimin pasditen e 18 gushtit e zhvilluan takimin e fundit, të parin prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.
Pas takimit për ta gjetur një emër konsensual jopartiak për President, u tha se dy liderët kishin diskutuar për profilin potencial që do të duhej ta kishte kreu i ri i shtetit. U paralajmëru se në takimin e ardhshëm do të flisnin për emra konkretë.
Kurti tha pas atij takimi se kishte parë “vullnetin e LDK-së” për t’i sjellë vendit një president të ri.
“Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha ai.
Tha se kishin diskutuar “hollësisht” dhe “thellësisht” për “kriteret që duhet t’i ketë figura presidenciale” dhe “sektorët e ndryshëm të shoqërisë dhe profesioneve”. Por, meqë “është proces shumë i ndjeshëm”, Kurti tha se nuk mund të fliste më shumë se kaq, “pa shkuar në konsultime te subjektet tona”.
“Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”, tha ai.
Abdixhiku, ndërkaq, tha se ishin dakorkuar që në takimin e ardhshëm të shkonin “me emra konkretë”.
“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme por në fund të ketë një emër”, tha ai.
Sikurse Kurti, Abdixhiku deklaroi se në atë takim kishin diskutuar “me vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës”.
“Ka vullnet të dyanshëm rreth këtij profili se si duhet të duket. Këto kritere janë të qarta; një president që e do Republikën, e mbron Republikën, e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi vonë shumë, çështja e presidentit duhet ta lirojë Kosovën. Nuk kemi folur për emra”, tha ai.
The post Kurti e Abdixhiku takohen pas pak në Kuvend për t’i diskutuar emrat për President appeared first on Gazeta Express.

