Ka libra që i përkasin kohës në të cilën janë shkruar dhe ka libra që, përkundrazi, fitojnë aktualitet sa më shumë që koha largohet prej tyre. “Shoqëria pa shkollë” e Ivan Illich i përket kësaj kategorie të dytë. Pesë dekada pas botimit, kritika e tij ndaj shkollës moderne nuk na shtyn aq shumë të pyesim nëse duhet të kemi shkolla, sesa të përballemi me një pyetje shumë më themelore, çfarë kuptimi i kemi dhënë dijes dhe çfarë lloj subjekti synon të prodhojë institucioni shkollor?
Shkruan: Sibel Halimi
Në këtë kontekst, Illich nuk është thjesht kritik i shkollës si institucion. Ai është kritik i një forme të caktuar të racionalitetit modern, në të cilën institucionet fillojnë të zëvendësojnë vetë qëllimet për të cilat janë krijuar. Shkolla, e cila duhej të ishte mjet për të mësuar, mund të shndërrohet në qëllim në vetvete, diploma mund të zëvendësojë dijen, nota mund të zëvendësojë të kuptuarit dhe certifikimi institucional mund të zëvendësojë autonominë intelektuale.
Kjo perspektivë bëhet veçanërisht domethënëse kur vendoset përballë rezultateve të Kosovës në PISA 2025. Kosova ka shënuar 357 pikë në shkencë, 340 në lexim dhe 350 në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, ka rënie prej dy pikësh në lexim dhe pesë pikësh në matematikë, ndërsa krahasimi në një horizont dhjetëvjeçar e bën tablonë edhe më shqetësuese, rënia arrin në 21 pikë në shkencë, 9 në lexim dhe 13 në matematikë. Por të lexosh këto rezultate vetëm si një renditje statistikore do të thotë të humbasësh pyetjen më të rëndësishme që ato na imponojnë.
Çfarë po ndodh me aftësinë e fëmijëve tanë për ta kuptuar botën?
Në thelb, problemi i arsimit nuk është vetëm sa informacion arrin të depozitojë mendja e një nxënësi. Problemi është nëse ajo mendje është bërë e aftë të vendosë marrëdhënie mes informacionit, përvojës dhe realitetit, nëse është në gjendje të interpretojë, të arsyetojë, të dyshojë, të argumentojë dhe të krijojë kuptim.
Këtu fillon takimi ndërmjet Illich-it, sistemit arsimor dhe PISA-s. Nga shkollimi te të mësuarit. Një prej dallimeve themelore që mund të nxirret nga kritika e Illich është ai ndërmjet shkollimit dhe të mësuarit. Të dyja nuk janë sinonime.
Shkollimi është proces institucional, ai ka orare, klasa, kurrikula, nivele, provime, nota dhe certifikata. Të mësuarit, ndërkaq, është një proces shumë më i gjerë dhe më themelor i ekzistencës njerëzore. Ai ndodh në klasë, por edhe jashtë saj, në marrëdhënie me mësuesin, por edhe përmes përvojës, nëpërmjet librit, përmes jetës e në kohën tonë edhe nëpërmjet platformave të ndryshme digjitale.
Njeriu mund të jetë për shumë vite në shkollë dhe përsëri të mos ketë zhvilluar autonomi intelektuale. Mund të marrë nota të larta dhe të mos dijë ta përdorë dijen në një situatë të re. Mund të përfundojë universitetin dhe të humbasë kureshtjen. Mund të jetë i certifikuar si i arsimuar dhe megjithatë të mbetet i varur nga autoriteti për t’i treguar çfarë duhet të mendojë. Në këtë pikë, shkollimi rrezikon të bëhet zëvendësues i dijes. Dhe kjo është një prej pyetjeve më të pakëndshme që duhet t’ia bëjmë sistemit tonë arsimor, a po edukojmë njerëz që dinë të kalojnë provimin, apo njerëz që dinë ta kuptojnë problemin?
Sepse këto dy aftësi nuk janë të njëjta.
Një sistem mund të jetë shumë efikas në krijimin e nxënësve që mësojnë përmendësh, përsërisin dhe testohen, por shumë më pak efikas në ndërtimin e individëve që mendojnë në mënyrë kritike.
Nëse nxënësi mëson vetëm për notën, ai mëson të kalojë testin.
Nëse mëson vetëm për diplomën, ai mëson të marrë diplomën.
Por nëse mëson për ta kuptuar botën, atëherë arsimi merr një kuptim tjetër, ai bëhet proces i emancipimit të mendjes.
PISA si pasqyrë e një krize më të thellë
PISA nuk duhet parë si një gjykatë që shpall fajtorë nxënësit, mësuesit apo shkollat. Ajo është, në radhë të parë, një instrument që na ofron një pasqyrë të caktuar të funksionimit të sistemit arsimor.
Dhe pasqyra mund të jetë e pakëndshme.
Vetëm rreth një e pesta e nxënësve në Kosovë arrin nivelin minimal të pritshëm të kompetencave në fushat e vlerësuara. Kjo e zhvendos diskutimin nga statistika drejt sociologjisë së dijes dhe, më tej, drejt filozofisë politike të arsimit. Sepse çfarë ndodh me një shoqëri kur një pjesë e madhe e të rinjve nuk arrin të kuptojë një tekst kompleks, të interpretojë të dhëna, të ndërtojë një argument apo të zgjidhë një problem të panjohur? Kjo nuk është më vetëm çështje e shkollës. Është çështje e kapacitetit qytetar të shoqërisë.
Një qytetar që nuk arrin të kuptojë një tekst, një statistikë, një kontratë apo një argument, është më i ekspozuar ndaj manipulimit. Një qytetar që nuk di ta dallojë faktin nga opinioni është më i cenueshëm ndaj propagandës. Një qytetar që nuk di të arsyetojë mbi të dhënat e ka më të vështirë të marrë vendime autonome. Prandaj, arsimi nuk është vetëm politikë sociale. Arsimi është infrastrukturë e demokracisë. Demokracia nuk funksionon vetëm përmes institucioneve formale, ajo kërkon qytetarë që janë në gjendje të lexojnë realitetin, ta interpretojnë atë dhe të gjykojnë në mënyrë të pavarur. Rrjedhimisht, kriza e arsimit është edhe krizë e kapacitetit demokratik.
Çfarë na thotë kjo për Kosovën?
Do të ishte e gabuar që rezultatet e PISA-s t’i reduktonim në një faj individual të mësuesit apo nxënësit. Performanca e një sistemi arsimor është produkt i ndërveprimit të shumë faktorëve, politikave publike, kurrikulave, përgatitjes profesionale të mësuesve, kushteve të punës, mënyrave të vlerësimit, pabarazive sociale, kulturës familjare, pozitës ekonomike, kulturës së leximit dhe vetë konceptimit shoqëror të suksesit. Prandaj, fëmija nuk është dështimi i sistemit, rezultati i tij është një nga pasqyrat e sistemit, mbase edhe kjo është një ndarje e rëndësishme etike dhe politike.
Kur dështimin e sistemit ia atribuojmë fëmijës, ne e individualizojmë një problem strukturor. Kur e shohim rezultatin si produkt të një sistemi më të gjerë shoqëror, atëherë fillojmë të kuptojmë se reforma nuk mund të kufizohet në ndryshimin e një libri shkollor apo në shtimin e një ore mësimore apo ndërtimin e një apo shumë shkollave. Duhet të ndryshojë vetë epistemologjia e arsimit, mënyra se si e përkufizojmë dijen, mënyra se si e prodhojmë atë dhe mënyra se si e vlerësojmë.
Paradoksi i institucionit
Këtu kritika e Illich-it bëhet veçanërisht e rëndësishme. Institucionet krijohen për t’i shërbyer njeriut, por në një moment mund të ndodhë përmbysja, njeriu fillon t’i shërbejë institucionit. Shkolla u krijua për të mundësuar të mësuarit, por nëse suksesi i saj matet kryesisht përmes frekuentimit, notave, provimeve dhe certifikatave, ekziston rreziku që mjeti të shndërrohet në qëllim. Kjo është një prej paradokseve të modernitetit institucional, ajo që fillimisht ndërtohet për të zgjeruar autonominë e individit mund, në kushte të caktuara, të prodhojë varësi të reja. Në këtë kuptim, shkolla mund të prodhojë një subjekt që di të përgjigjet, por jo domosdoshmërisht një subjekt që di të dyshoj. Dhe pyetja është pikërisht pika ku fillon mendimi.
Çfarë lloj njeriu po prodhon shkolla?
Ndoshta pyetja më e rëndësishme për arsimin nuk është: Sa shkolla kemi? Sa nxënës i kemi? Sa diploma kemi prodhuar? Pyetja më e thellë është, Çfarë lloj njeriu po prodhon shkolla?
Një njeri që bindet apo një njeri që dyshon? Një njeri që përsërit apo një njeri që arsyeton? Një njeri që kërkon përgjigje të gatshme apo një njeri që është në gjendje të jetojë me kompleksitetin e dyshimit dhe pyetjes? Një njeri që e sheh dijen si pronë të autoritetit apo një njeri që e përjeton dijen si proces të përhershëm të kërkimit? Këtu arsimi kalon nga pedagogjia në filozofi. Sepse të edukosh nuk do të thotë thjesht të transmetosh informacion. Do të thotë të formosh një subjekt që është në gjendje të marrë pjesë në botë në mënyrë autonome. Në këtë kuptim, qëllimi i arsimit nuk duhet të jetë mbushja e mendjes me përgjigje, por zhvillimi i kapacitetit për të prodhuar pyetje e të dyshoj!
Nga reforma e shkollës te transformimi i kulturës së dijes
Kosova ka nevojë për një shkollë që nuk e ngatërron praninë fizike në institucion me procesin e të mësuarit. Ka nevojë për një shkollë ku libri nuk është vetëm tekst për t’u memorizuar, por një portë drejt botës, ku mësuesi nuk është vetëm transmetues informacioni, por ndërmjetës i kureshtjes, ku nxënësi nuk është objekt i procesit pedagogjik, por subjekt i dijes. Një shkollë e tillë nuk e eliminon autoritetin e mësuesit, por e transformon atë. Autoriteti nuk buron më nga monopoli mbi informacionin, sepse informacioni është gjithnjë e më i qasshëm. Autoriteti pedagogjik buron nga aftësia për të orientuar kërkimin, për të zhvilluar mendimin kritik dhe për ta mësuar nxënësin të dallojë mes informacionit dhe dijes.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në epokën digjitale dhe të inteligjencës artificiale. Kur informacioni është pothuajse i pafund, vlera e arsimit nuk qëndron më vetëm në aftësinë për të pasur informacion, por në aftësinë për ta vlerësuar, interpretuar dhe përdorur atë në mënyrë të përgjegjshme.
Në një botë ku makinat mund të prodhojnë përgjigje, njeriu duhet të bëhet edhe më i aftë për të formuluar pyetje.
Përtej PISA-s
Prandaj, pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes nuk është vetëm, pse Kosova del dobët në PISA? Pyetja është më e thellë, çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë kur një pjesë kaq e madhe e fëmijëve tanë nuk arrin të zhvillojë kompetencat themelore për ta kuptuar botën?
Dhe më tej, a po e edukojmë fëmijën për jetën, apo po e përgatisim vetëm për sistemin e testimit? Këto dy qëllime mund të përkojnë, por mund edhe të ndahen.
Një sistem që e përgatit fëmijën vetëm për testin mund të prodhojë performancë të përkohshme. Një sistem që e përgatit për jetën duhet t’i japë atij aftësinë për të menduar edhe kur nuk ekziston një pyetje e formuluar paraprakisht dhe një listë përgjigjesh të mundshme. Kjo është arsyeja pse Illich-i mbetet aktual, ai nuk na kërkon thjesht të reformojmë shkollën, por na kërkon të rimendojmë marrëdhënien tonë me dijen.
Ndoshta reforma më e thellë arsimore nuk fillon me një tekst të ri mësimor, një test të ri apo një platformë të re digjitale. Ajo fillon me një pyetje më të thjeshtë dhe njëkohësisht më radikale, a po i mësojmë fëmijët tanë të mendojnë pa ne?
Sepse arsimi i emancipuar nuk prodhon individë që kanë gjithmonë nevojë për autoritetin, institucionin, mësuesin apo librin për t’u treguar çfarë të mendojnë. Arsimi i emancipuar krijon individë që, në një moment të caktuar, mund të ecin vetë drejt dijes. Dhe këtu qëndron paradoksi më i thellë i librit “Shoqërisë pa shkollë”, Illich nuk na fton në një botë pa arsim, por në një botë ku shkolla nuk e monopolizon të mësuarit. Për Kosovën, rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë pikërisht si një moment i tillë reflektimi. Jo vetëm për të pyetur se si të marrim rezultate më të mira në testin e ardhshëm. Por për të pyetur se çfarë lloj qytetari duam të formojmë, sepse në fund, kriza e arsimit nuk është vetëm krizë e asaj që fëmijët dinë. Është krizë e asaj që shoqëria pret prej tyre të bëhen. Dhe një shoqëri që synon të ndërtojë demokraci të qëndrueshme, institucione të përgjegjshme dhe një kulturë të dijes nuk mund të kënaqet me nxënës që dinë të japin përgjigjen e saktë. Ajo ka nevojë për qytetarë që dinë të mendojnë, dinë të dyshojnë, dinë të argumentojnë dhe, mbi të gjitha, dinë të bëjnë pyetjen e duhur. Sepse ndoshta qëllimi i fundit i arsimit nuk është të na mësojë çfarë të mendojmë.
Është të na japë lirinë për të mësuar të mendojmë vetë.
The post Kur shkolla nuk arrin të na mësojë të mendojmë appeared first on Gazeta Express.

