Evropa duhet të forcojë sigurinë e saj dhe shtyllën evropiane të NATO-s, pasi rendi ndërkombëtar po ndryshon, ka deklaruar të martën kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, në konferencën e ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë.
Jandrokoviq paralajmëroi në veçanti për rritjen e armatimit të Serbisë, duke theksuar se Beogradi nuk po blen vetëm armë mbrojtëse, por edhe armë të karakterit ofensiv.
“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë. Nuk duhet t’i shmangemi kësaj”, tha Jandrokoviq, raporton JuranjiList
Ai tha se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare dhe rendin ndërkombëtar, por duhet të jetë e vetëdijshme për ndryshimet në botë dhe të ketë përgjigje ndaj tyre.
Sipas Jandrokoviqit, është e rëndësishme që Evropa të forcojë shtyllën e saj brenda NATO-s, pasi për dekada ka jetuar me bindjen se pas saj qëndron gjithmonë Shtetet e Bashkuara.
Ai vlerësoi se kjo ka bërë që Evropa dhe disa prej shteteve të saj të neglizhojnë sigurinë e tyre.
Kryetari i Parlamentit kroat u ndal edhe te situata në rajon, duke thënë se Kroacia duhet t’u shpjegojë partnerëve perëndimorë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Ai paralajmëroi se elitat e reja politike në Perëndim shpesh nuk e njohin mjaftueshëm hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe nuk e kanë kujtesën e politikave të Slobodan Miloševiqit dhe shpërbërjes së ish-shtetit jugosllav.
The post Kryeparlamentari kroat: Serbia po armatoset me armë sulmuese, duhet t’ia themi Perëndimit appeared first on Gazeta Express.

