Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa vendimi pritet në Hagë, vëmendja në Kosovë është përqendruar veçanërisht në vendlindjet dhe zonat që lidhen me luftën e UÇK-së.
Në Burojë të Skënderajt, vendlindjen e Hashim Thaçit, procesi gjyqësor është bërë pjesë e bisedave të përditshme të banorëve.
Kadri Thaçi, 62-vjeçar dhe bashkëfshatar i ish-presidentit, thotë se e pret me shpresë vendimin, por nuk dëshiron të mendojë për mundësinë e një dënimi.
“Në qoftë se dënohen, inshallah jo… Ndjehem keq. S’kam qejf as ta mendoj”, ka thënë ai.
Ai e përshkruan Thaçin si një njeri të butë dhe të dashur dhe thotë se që nga fëmijëria e ka konsideruar atë një person “të veçantë”.
Në Likoc presin ditë feste
Në Likoc të Drenasit, ku gjatë luftës ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, banorët gjithashtu thonë se presin me optimizëm vendimin e 16 shtatorit.
Veterani i UÇK-së, Nusret Kadriu, i cili ka qenë bashkëluftëtar i të akuzuarve, thotë se e ka përcjellë vazhdimisht procesin në Hagë.
Ai shprehet se gjykimi ka qenë emocional dhe se ndien sikur edhe ai është vënë në bankën e të akuzuarve bashkë me ish-krerët e UÇK-së.
Edhe një banor tjetër i Likocit, Dritani, i cili jeton prej dekadash në Austri, pret që 16 shtatori të jetë ditë feste. Ai planifikon të jetë në Hagë dhe të festojë me pjesëtarë të mërgatës në rast të një vendimi të pafajësisë.
Megjithatë, ai e cilëson Gjykatën Speciale si “të padrejtë dhe të mbrapshtë”.
Në Suharekë presin pafajësinë
Edhe qytetarë nga Suhareka shprehen optimistë për vendimin.
Jemin Buzhala, nga Budakova, i cili jeton prej 18 vitesh në Itali, thotë se vendimin e pret me gëzim.
“Ne po e presim me gëzim. Dalja e UÇK-së, plus ardhja e forcave të bashkuara ndërkombëtare… i realizuam ato çfarë patëm dëshirë”, ka thënë Buzhala.
Edhe Hasan Selimi, 70-vjeçar nga Suhareka dhe banor i mërgatës që nga viti 1977, beson se ish-krerët e UÇK-së nuk duhet të dënohen.
“S’ka kurrfarë arsyeje që të dënohen. Por, nëse politika vendos, e jo drejtësia, atëherë kjo është tjetër gjë”, ka deklaruar ai.
Banorët e Llapashticës: Luftën e kujtojmë ndryshe
Llapashtica e Epërme në Podujevë përmendet në aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar si një nga lokacionet ku, sipas pretendimeve të saj, janë mbajtur persona të ndaluar gjatë luftës.
Sipas aktakuzës, nga nëntori i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999, të paktën 52 persona ishin mbajtur në një objekt pranë Shtabit të Zonës Operative të Llapit.
Prokuroria pretendon se të ndaluarit ishin përballur me kushte të rënda, përfshirë rrahje dhe forma të tjera të keqtrajtimit.
Por banorët e Llapashticës thonë se kujtimet e tyre për atë periudhë janë ndryshe.
Burim Muçiqi ishte tetëvjeçar kur nisi lufta në këtë zonë. Ai kujton granatimet e 24 dhjetorit 1998 dhe largimin e banorëve drejt Popovës.
“Na kanë përcjellë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare. Nuk na kanë lënë vetëm në asnjë moment”, ka rrëfyer Muçiqi.
Veterani i UÇK-së, Muharrem Muçiqi, i cili iu bashkua UÇK-së në maj të vitit 1998, i mohon pretendimet për keqtrajtime në Llapashticë.
Ai thotë se në zonë kishte pasur presion të vazhdueshëm nga forcat serbe edhe para vendosjes së UÇK-së dhe se ardhja e saj solli organizim më të madh.
Për të, drejtësi do të kishte nëse katër ish-krerët e UÇK-së shpallen të pafajshëm, ndërsa një dënim i tyre do të ishte, sipas tij, “padrejtësi” me motive politike.
Besimi në Gjykatën Speciale mbetet i ulët
Skepticizmi ndaj Gjykatës Speciale nuk është i kufizuar vetëm në këto zona.
Sipas të dhënave të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Gjykatës Speciale një mesatare prej 2.56 pikësh nga 5 sa i përket besimit se ajo do të japë drejtësi në mënyrë të drejtë dhe të pavarur.
Që nga arrestimi dhe transferimi i tyre në Hagë, në nëntor të vitit 2020, në Kosovë dhe jashtë saj janë zhvilluar protesta në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën tjetër, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë kanë shmangur komentet publike për procesin, duke thënë se frikësohen nga tensionet që mund të shkaktohen.
Një prej tyre, Jasmina Zhivkoviq, thotë se prej 27 vitesh pret të mësojë fatin e babait të saj, i cili është në mesin e rreth 1.600 personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.
Ajo kishte shpresuar se Gjykata Speciale do të ndihmonte në zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur, por rasti i babait të saj, i zhdukur më 28 shtator 1999, nuk përfshihet në periudhën kohore të aktakuzës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Zhivkoviq thotë se ka humbur shpresën se procesi në Hagë do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të babait të saj.
Të rinjtë më pak të interesuar
Ndryshe nga brezi që e ka përjetuar luftën, një pjesë e të rinjve në Prishtinë shprehen më pak të interesuar për procesin.
18-vjeçari Agis Kaçuri, i lindur në vitin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thotë se nuk e ka ndjekur procesin gjyqësor në Hagë.
Ndërkaq, studenti 22-vjeçar Arjon Lika thotë se beson në pafajësinë e të akuzuarve, por pranon se do të dëshironte të ishte më i informuar për procesin dhe për luftën e fundit në Kosovë.
Rasti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është një prej proceseve kryesore të zhvilluara nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Aktakuza përfshin gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Prokuroria pretendon se krimet, përfshirë vrasje, torturë, ndjekje, burgosje dhe zhdukje të detyruar, janë kryer ndaj civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Katër të akuzuarit i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh proces gjyqësor, Gjykata Speciale pritet të japë verdiktin për katër nga figurat më të njohura të luftës dhe të politikës së Kosovës. /REL
The post Kosova pret verdiktin e Hagës, në Drenicë dhe Podujevë shpresojnë në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Gazeta Express.

