By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Kosova ka votuar, tani është koha për të qeverisur
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Kosova ka votuar, tani është koha për të qeverisur
TOP Momenti

Kosova ka votuar, tani është koha për të qeverisur

Momenti
Published: July 8, 2026

Opinion nga Eva Palatová, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë

Gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit, qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje tri herë për të zgjedhur Kuvendin e tyre.

Your browser does not support the video tag.

Ata votuan në shkurt të vitit 2025. Votuan sërish në dhjetor të vitit 2025. Dhe më 7 qershor të këtij viti, hodhën edhe një herë votën e tyre.

Secilat zgjedhje ishin të qeta, konkurruese dhe të administruara mirë. Së bashku, ato dëshmuan qëndrueshmërinë e demokracisë së Kosovës dhe përkushtimin e qytetarëve të saj për ta formësuar të ardhmen e vendit përmes mjeteve demokratike.

Por demokracia nuk përfundon në ditën e zgjedhjeve.

Qëllimi i zgjedhjeve është të prodhojnë institucione në gjendje për të qeverisur dhe për t’u ofruar rezultate qytetarëve. Pikërisht këtu Kosova është përballur me një sfidë.

Zgjedhjet e shkurtit 2025 nuk çuan në formimin e një qeverie. Zgjedhjet e dhjetorit 2025 nuk prodhuan shumicën parlamentare të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit. Kuvendi funksionoi vetëm për një periudhë të shkurtër përpara se vendi të kthehej sërish në zgjedhje. Si rezultat, Kosova ka përjetuar një ngërç politik dhe institucional gjatë pjesës më të madhe të një viti e gjysmë të fundit.

Pasojat tashmë po bëhen të dukshme.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e qershorit ra ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025. Edhe pse pjesëmarrja e votuesve ndikohet nga shumë faktorë, mbajtja e zgjedhjeve të përsëritura pa rezultate të qarta politike rrezikon në mënyrë të pashmangshme të krijojë zhgënjim dhe lodhje te qytetarët. Ata presin që vota e tyre të sjellë jo vetëm përfaqësim, por edhe qeverisje efektive.

Gjykata Kushtetuese është thirrur vazhdimisht për të zgjidhur mosmarrëveshje dhe për të interpretuar dispozitat kushtetuese. Ajo e ka përmbushur me përgjegjësi rolin e saj dhe ka ndihmuar në mbrojtjen e rendit kushtetues. Megjithatë, gjykatat nuk mund ta zëvendësojnë udhëheqjen politike. Në fund të fundit, sistemet demokratike varen nga aftësia e përfaqësuesve të zgjedhur për të gjetur zgjidhje përmes dialogut, kompromisit dhe një ndjenje të përbashkët përgjegjësie.

Kjo nuk është diçka unike për Kosovën. Në mbarë Bashkimin Evropian, partitë politike garojnë fuqishëm gjatë zgjedhjeve, por pritet të bashkëpunojnë më pas në interes të stabilitetit institucional. Kompromisi nuk është shenjë dobësie. Ai është një aftësi thelbësore demokratike dhe qëndron në zemër të vendimmarrjes së përditshme të Bashkimit Evropian. Ndërsa qytetarët e Kosovës synojnë anëtarësimin në BE, arritja e një kompromisi politik sot do të dërgonte një sinjal të qartë dhe konkret se udhëheqësit politikë të Kosovës janë të gatshëm ta përqafojnë kulturën politike mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Sot, nevoja për këtë kulturë politike dhe për aftësinë për kompromis është më e madhe se kurrë, sepse Kosova ka përpara një dritare mundësish që nuk duhet humbur.

Bashkimi Evropian e ka rikthyer zgjerimin në qendër të agjendës së tij politike. Siç tha Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, zgjerimi është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën dhe një investim në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.

Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro në grante dhe hua me kushte të favorshme deri në fund të vitit 2027. Në të njëjtën kohë, Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) për vitet 2026 dhe 2027, së bashku me Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), do të mobilizojnë edhe 300 milionë euro të reja për reforma dhe investime gjatë viteve të ardhshme.

Këto investime mund të ndihmojnë në modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë energjetike, mbështetjen e bizneseve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.

Por ekziston një realitet i thjeshtë: mundësitë kërkojnë institucione të afta për t’i shfrytëzuar ato.

Siç e tha qartë Presidenti Costa, Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i bëjë detyrat e saj. Përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës u takon në fund të fundit udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës.

Reformat që lidhen me Planin e Rritjes, fondet shtesë nga IPA dhe rrugëtimi më i gjerë evropian i Kosovës kërkojnë vendime politike, veprime legjislative dhe zbatim efektiv. Asnjë partner i jashtëm nuk mund ta zëvendësojë udhëheqjen politike vendore.

Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Evropian i ka inkurajuar vazhdimisht të gjithë aktorët politikë që integrimin evropian të Kosovës ta bëjnë një prioritet që tejkalon ndarjet partiake. Konkurrenca politike është një tipar normal dhe i shëndetshëm i demokracisë. Përparimi i së ardhmes evropiane të Kosovës duhet të jetë një objektiv i përbashkët.

Komisionerja Marta Kos së fundmi theksoi se forcat politike duhet të bashkohen për të ndërtuar stabilitet institucional. Po ashtu, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke vlerësuar se zgjedhjet e qershorit ofrojnë një mundësi për t’i dhënë fund më shumë se një viti bllokade politike.

Kjo është thelbësore dhe urgjente: tashmë është humbur shumë kohë.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, prioritetet janë të qarta: partia fituese mban një përgjegjësi të veçantë për t’u angazhuar me forcat politike në të gjithë spektrin politik, në mënyrë që të ndërtojë kompromiset e nevojshme, të cilat jo vetëm do të mundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por edhe zgjedhjen e Presidentit, duke respektuar plotësisht kërkesat kushtetuese dhe shumicat e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, të gjitha partitë e zgjedhura kanë përgjegjësinë të angazhohen në këto negociata me mirëbesim për ta arritur këtë qëllim. Së bashku, ato duhet të vazhdojnë me reformat që do ta vendosin integrimin evropian të Kosovës në qendër të vendimmarrjes së tyre dhe të dëshmojnë se kompromisi në funksion të së ardhmes evropiane të Kosovës është i mundur.

Qytetarët e Kosovës e kanë bërë pjesën e tyre. Ata kanë votuar vazhdimisht në zgjedhje të lira dhe demokratike, duke prodhuar çdo herë një rezultat politik në thelb të ngjashëm: një Kuvend, përbërja e të cilit kërkon bashkëpunim ndërmjet partive, dialog dhe kompromis, ashtu siç ndodh në demokracitë anembanë Evropës. Tani qytetarët meritojnë që mesazhi i tyre të dëgjohet dhe që udhëheqësit e tyre politikë të formojnë institucione të afta për të dhënë rezultate.

Prandaj, javët në vijim kanë të bëjnë me më shumë sesa vetëm formimin e qeverisë. Ato kanë të bëjnë me rikthimin e funksionalitetit politik, rindërtimin e besimit të publikut dhe sigurimin që Kosova të përfitojë plotësisht nga momenti i favorshëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Kosova ka votuar. Tani është koha për të qeverisur – dhe për të ecur me vendosmëri përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

You Might Also Like

ESHA: Byroja e Metrologjisë i përdori në mënyrë joefikase pajisjet për kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës pavarësisht investimeve të konsiderueshme
PDK e Aleanca kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit, marrëveshja duhej ta thërriste seancën
​Telashe me përkthimin, rasti i Endrit Nikës shtyhet për 25 shtator
AKK me shtatë kërkesa për Qeverinë, Ibrahimi: Nuk do të heshtim
Mickoski: Në Shkollën e Mesme të Policisë do të ketë paralele në gjuhën shqipe, interesimi është i ulët

LEXO GJITHASHTU

Lushtaku: Qeveria po ua cenon kompetencat komunave, pushteti lokal nuk do të heshtë
Lushtaku: Qeveria po ua cenon kompetencat komunave, pushteti lokal nuk do të heshtë
Lajme
Çfarë e fundosi “Keffe D”? Provat që zbardhën misterin 30-vjeçar të vrasjes së Tupac
Çfarë e fundosi “Keffe D”? Provat që zbardhën misterin 30-vjeçar të vrasjes së Tupac
Lajme
Dogana e Kosovës thotë se ka rritje të të hyrave në gusht, arkëtohen 194.38 milionë euro
Dogana e Kosovës thotë se ka rritje të të hyrave në gusht, arkëtohen 194.38 milionë euro
Lajme
Irani thotë se do t’i kthehet armëpushimit nëse SHBA-ja bën të njëjtën gjë
Irani thotë se do t’i kthehet armëpushimit nëse SHBA-ja bën të njëjtën gjë
Lajme
Ndërpritet seanca e rigjykimit për vrasjen e argjentinases, i akuzuari Nika kërkon përkthyes tjetër
Ndërpritet seanca e rigjykimit për vrasjen e argjentinases, i akuzuari Nika kërkon përkthyes tjetër
Lajme

You Might Also Like

Latifi: Ka raste të dëmeve të evidentuara që nga viti 2022 e që ende janë të pakompensuara
TOP Momenti

Latifi: Ka raste të dëmeve të evidentuara që nga viti 2022 e që ende janë të pakompensuara

September 1, 2026
Përleshje me thika në Çair, ndalohen një 19-vjeçar dhe një i mitur
TOP Momenti

Përleshje me thika në Çair, ndalohen një 19-vjeçar dhe një i mitur

September 1, 2026
Aliu kërkon kompensimin e komunave: Mjaft më me qasje selektive e diskriminuese
TOP Momenti

Aliu kërkon kompensimin e komunave: Mjaft më me qasje selektive e diskriminuese

September 1, 2026
Ministria e Financave: Do të rindërtojmë Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në Shkup, investim prej 92.7 milionë denarësh
TOP Momenti

Ministria e Financave: Do të rindërtojmë Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në Shkup, investim prej 92.7 milionë denarësh

September 1, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?