Komisionerja për zgjerimin e rendit vendin tonë mes vendeve në krye të procesit.
Pak ditë para se të propozojë paketën e re të zgjerimit, komisionerja Kos i tha France 24 se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Mali i Zi, i cili është realisht në krye, mund të përfundojë negociatat teknike në fund të këtij viti dhe më pas të bëhet anëtar në vitin 2028. Shqipëria është gjithashtu në rrugën e duhur. Moldavia po jep gjithnjë e më shumë rezultate dhe, sigurisht, edhe Ukraina. Pra, këto janë katër vendet në krye të procesit të zgjerimit.”
Kos thekson se ka një zbatim të pabarabartë të reformave, gjë që mund të çojë në zhvendosjen e 330 milionë eurove të fondeve nga plani i rritjes drejt shteteve me performancën më të lartë si Mali i Zi dhe Shqipëria.
“Në fakt, kemi një paketë prej gjashtë miliardë eurosh në formë grantesh dhe kredish për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi ynë Evropian nuk është një organizatë bamirësie. Kështu që, që ne t’i ndihmojmë ata të zhvillohen ekonomikisht dhe shoqërisht, ata duhet t’i zbatojnë reformat; ne u japim para vetëm nëse ato i realizojnë ato.”
Kos evidenton përfitimet ekonomike nga zgjerimi.
“Kemi rritjen e PBB-së për frymë të vendeve që janë anëtarësuar. Në vitin 2004, PBB-ja për frymë është rritur mesatarisht me 27%. Pra, ka një përfitim shumë të qartë për vendet që janë anëtarësuar. Ndoshta është më pak e dukshme për njerëzit se çfarë përfitojnë ekonomikisht nga zgjerimi.
Pra, për shtetet anëtare ekzistuese, fakti që dhjetë shtete të reja hynë në BE ishte gjithashtu pozitiv për ekonominë edhe për sigurinë evropiane.”
Ajo flet për periudhë tranzicioni në përmbushjen e kushteve në fusha të ndryshme.
“Për momentin, ne po përgatisim traktatin e anëtarësimit për Malin e Zi. Të gjitha traktatet e anëtarësimit kanë përfshirë dispozita për periudha tranzicioni. Për shembull, Polonia u anëtarësua në vitin 2004 dhe sektori i saj bujqësor pati një periudhë tranzicioni prej 20 vitesh; kjo do të thotë se vetëm pas 20 vitesh ata u integruan plotësisht dhe fituan të drejtën e plotë për të përfituar fonde bujqësore nga Bashkimi Evropian. Pra, sigurisht që ne kemi mjetet dhe mekanizmat që mund t’i përdorim për të mbrojtur veten.”
Të mërkurën, komisionerja Kos do të propozojë dhënien e afateve kohore për anëtarësimin e shteteve pararojë, si dhe mekanizma që do ta lehtësonin rrugën e tyre të integrimit në BE./Tv Klan

