Policia në Anglinë perëndimore ka njoftuar se disa burra janë arrestuar nën dyshimin për veprime të paligjshme që përfshijnë lëndë shpërthyese, pranë një baze ajrore që përdoret shpesh nga forcat amerikane.
Një sërë objektesh janë evakuuar në zonën e Whelford-it në Gloucestershire, në Anglinë jugore, “pas shpalljes së një incidenti madhor”.
“Ekipi i specializuar i ushtrisë për asgjësimin e mjeteve shpërthyese po kontrollon aktualisht disa automjete. Banorët vendas po evakuohen drejt një qendre rekreative aty pranë,” thuhet në deklaratë.
“Aktualisht është vendosur një kordon sigurie, por duam t’i sigurojmë njerëzit se besojmë që situata lidhur me këtë incident është nën kontroll,” deklaroi policia e Gloucestershire-it.
Kurse, një zëdhënës i Forcave Ajrore të SHBA-së deklaroi se personeli i tyre i vendosur në bazën RAF Fairford “mbetet vigjilent”, raporton BBC.
“Ne vlerësojmë vazhdimisht faktorë të ndryshëm që përcaktojnë masat që zbatojmë ose modifikojmë për të mbrojtur instalimet tona, njerëzit tanë dhe familjet e tyre.”
Në muajin korrik, Britania deklaroi se forcat e saj të armatosura ishin të gatshme ta mbronin vendin nga çdo sulm, pasi Garda Revolucionare e Iranit kishte lëshuar një paralajmërim që të mos lejohej fluturimi i bombarduesve amerikanë nga Fairfordi.
Baza e Fairfordit është përdorur që nga muaji shkurt për të kryer operacione kundër Iranit gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.

