Mbi një milion persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të Kinës, përfshirë Shangain, pasi tajfuni “Dolphin” ka goditur vendin duke sjellë reshje të dendura dhe përmbytje.
Tajfuni, i cili fillimisht ishte klasifikuar si një stuhi e fuqishme, ka shkaktuar ndërprerje të transportit në disa zona. Vetëm në Shangai, të hënën janë anuluar rreth 1,000 fluturime.
Autoritetet kineze e kanë ulur nivelin e “Dolphin” në stuhi tropikale, por kanë paralajmëruar për reshje të rrëmbyeshme, përmbytje të mëdha dhe rrezik nga rrëshqitjet e dheut deri të mërkurën, ndërsa stuhia lëviz drejt veriut.
Më herët, autoritetet kishin lëshuar alarmin e kuq, nivelin më të lartë të paralajmërimit për tajfunet. “Dolphin” konsiderohet stuhia më e fuqishme që ka goditur Kinën këtë vit.
Tajfuni kishte erëra maksimale prej 150 kilometrash në orë kur goditi për herë të parë qytetin Yuhuan, në provincën Zhejiang, rreth orës 17:30 të dielën. Rreth një orë më vonë, ai preku tokën për herë të dytë pranë qytetit Wenzhou, sipas autoriteteve meteorologjike.
Reshje të dendura janë parashikuar në provincat Shandong, Henan, Hubei, Anhui, Jiangsu dhe Zhejiang, si dhe në qytetin e Shangait.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura. Disa prej atraksioneve më të njohura turistike janë mbyllur përkohësisht, përfshirë pjesë të Disneyland-it dhe Legoland-it, si dhe disa platforma panoramike përgjatë zonës së Bund-it në Shangai.
Mediat shtetërore kanë publikuar pamje të bizneseve në katet përdhese të përmbytura në ish-zonën franceze të Shangait, një prej zonave të frekuentuara nga turistët. Në disa pjesë të qytetit, njerëzit janë parë duke lëvizur nëpër ujëra që arrijnë deri te kyçet e këmbëve.
Ndërkohë, mediat shtetërore kanë raportuar se një djalë nëntëvjeçar nga Wenling, në provincën Zhejiang, është zhdukur pasi është marrë nga ujërat dhe ka përfunduar në det. Deri tani, autoritetet kineze nuk kanë raportuar viktima.
Meteorologët parashikojnë se disa zona të Zhejiangut mund të përballen me 250 deri në 500 milimetra reshje gjatë ditëve të ardhshme.
Në Hangzhou, kryeqytetin e provincës Zhejiang, autoritetet kanë hequr tarifat e parkimit në hapësirat publike për shoferët që kërkojnë strehim për shkak të erërave të forta dhe përmbytjeve.
Në Wenzhou janë evakuuar rreth 900 mijë banorë dhe janë hapur më shumë se 1,000 qendra emergjente. Ndërkaq, rreth 390 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në qytetin Taizhou.
Në provincën bregdetare Fujian, autoritetet detare kanë pezulluar dhjetëra linja të trageteve për pasagjerë dhe kanë ndaluar më shumë se 100 projekte ndërtimi në det të hapur.
Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, stuhia ka përshkuar një distancë prej rreth 6,000 kilometrash para se të godiste tokën, duke pasur një jetëgjatësi më shumë se tri herë më të gjatë se një tajfun mesatar.
CCTV ka raportuar gjithashtu se “Dolphin” ka një përmasë shumë të madhe të qarkullimit atmosferik dhe kapacitet të lartë për prodhimin e reshjeve intensive.

