Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka bërë një pretendim në lidhje me vrasjen e Kadri Zekës e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, duke deklaruar se Riza Salihu kishte urdhëruar vrasjen e tyre.
Kelmendi i ka bërë këto deklarata në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit “Dosjet”.
Duke folur për njohjen e tij me Riza Salihun, Kelmendi ka thënë se e kishte njohur në vitin 1978, përmes Hysen Gegës. Sipas tij, raportet mes tyre nuk kishin nisur mirë, pasi ai pretendon se Salihu kishte tentuar të manipulonte financiarisht disa anëtarë të Grupit Komunist.
Por Kelmendi ka rrëfyer edhe për një episod që, sipas tij, kishte ndodhur në fund të vitit 1979.
Ai ka deklaruar se Riza Salihu, “në emër” të Grupit Komunist, kishte urdhëruar Hysen Gegën që ta vriste Jusuf Gërvallën, me arsyetimin se ky i fundit ishte dërguar nga UDB-ja për të spiunuar organizatën.
“Në fund të dhjetorit Rizai, ‘në emër’ të GK-së, e komandon Hysen Gegën – të cilin e kishte kooptuar si nënkryetar të GK-së – që ta vriste Jusufin, me arsyetim se e kishte dërguar UDB-ja për ta spiunuar GK-në”, ka deklaruar Kelmendi.
Sipas tij, Hyseni Gega i kishte treguar për këtë urdhër, pasi kishte kërkuar mendimin e Kelmendit nëse Jusuf Gërvalla duhej të konsiderohej i dyshimtë.
– YouTube www.youtube.com
Kelmendi ka thënë se më pas, nga Bochumi, bashkë me Hysen Gegën dhe Malush Ademajn, kishin udhëtuar drejt Ludwigsburgut, ku kishin takuar Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën.
“E kemi informuar për atë urdhër të Rizait”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka treguar se deri në prill të vitit 1980 kishin “taktizuar” ndaj Riza Salihut dhe se çështja ishte mbyllur përmes një ballafaqimi mes Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut.
Sipas rrëfimit të Kelmendit, Gërvalla kishte kërkuar që Salihu të falej, pasi besonte se bëhej fjalë për një “lajthitje naive”.
Megjithatë, Kelmendi ka pretenduar se Salihu më vonë kishte vazhduar me akuzat ndaj Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, duke i cilësuar ata si njerëz të UDB-së.
“Fatkeqësisht Rizai e ka vazhduar me atë avaz, bile edhe në intervistë dhënë TV Klan Kosova në vitin 2012, e ka thënë shkoqur se Jusufi e Bardhoshi ishin njerëz të UDB-së”, ka deklaruar Kelmendi.
Kelmendi ka folur gjithashtu për një person të dytë, të cilin e konsideron të dyshuar potencial për përfshirje në vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës.
Ai ka thënë se emrin e Haxhi Demirit nga Mushtishti ia kishte dhënë ish-kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi, duke kërkuar që ADN-ja e tij të krahasohej me mbetjet e cigareve që, sipas tij, ishin gjetur në vendin ku ishte mbajtur prita.
Kelmendi ka deklaruar se kërkesa e tij nuk ishte pranuar dhe se dyshimin për Demirin ia kishte përcjellë edhe autoriteteve gjermane./Tv Dukagjini
