Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cilëson si antikushtetuese zhvillimet e fundit në Kuvend dhe vlerëson që Gjykata Kushtetuese duhet t’u jap drejtim këtyre ngjarjeve në mënyrë që të kthehet rendi kushtetues në vend.
Në një bisedë me KALLXO, ai ka thënë se është e domosdoshme që të formohen institucionet, mirëpo fillimisht, në to duhet të kthehet kushtetutshmëria.
“Janë tri situata të ndryshme politike: ajo çfarë ka ndodhur deri më 7 gusht; ajo çfarë ka ndodhur pas 7 gushtit deri në seancën e djeshme (09.09.2026); dhe ajo çfarë ka ndodhur nga seanca e djeshme deri më sot. Ne duhet të dërgojmë çdo gjë në Gjykatë Kushtetuese, që buron nga një Kuvend, i cili për ne nuk është legjitim dhe një qeveri e cila nuk do të jetë legjitime, siç nuk do të jetë legjitim presidenti, për shkak të përmbysjes së rendit kushtetues dhe shkeljes së afateve ligjore.” – tha ai.
Sa i përket mosvotimit të kandidatëve për nënkryetarë të propozuar nga partitë opozitare, Hoxhaj tha se nuk janë në pyetje emrat e propozuar, por qëllimi politik i LVV-së, e cila, sipas tij, ka për qëllim “ngërçin, bllokadën dhe shpërbërjen e sistemit politik”.
“Nuk besoj që janë në pyetje emrat. Këtu në pyetje është qëllimi politik, e qëllimi politik është që përmes ngërçit, bllokadës me e shpërbë sistemin tonë politikë. Qytetari duhet ta kuptoj se nuk janë në pyetje emrat, as i znj.Çitaku, as i z.Shala, e as i të tjerëve, por është logjika e njëjtë për ta çmontuar sistemin tonë politikë përmes arsyetimeve të shumëllojshme të cilat qytetari nuk ka shans me i mbajt mend se kush çfarë tha.” – deklaroi Hoxhaj.
Ai tha se zgjedhja e nënkryetarëve si hap final i konstituimit të Kuvendit është përgjegjësi e subjekteve politike.
Në një proces të tillë, sipas tij, asnjëherë nuk ka pasë qasje të shantazhimit, e kushtëzimit apo të nënshtrimit të ndonjë subjekti politik, por gjithçka ka qenë në frymën e një “koordinimi të vogël” teknik parlamentar, se kush mund të bëhet nënkryetar i Kuvendit.
Sa i përket ndërlidhjes së zgjedhjes së presidentit me atë të nënkryetarëve të Kuvendit, Hoxhaj tha se zgjedhja e presidentit ka kërkuar çdoherë, qoftë marrëveshje ndërpartiake, qoftë konsensus mes partive politike, andaj nuk “guxojnë të ngatërrohen” këto dy gjëra.
“Këto gjëra ngatërrohen kur në një vend, i vetmi rend politik që funksionon është rendi politik i Albin Kurtit, jo Kushtetuta e Kosovës, jo sistemi politik i një Republike parlamentare, dhe kur një njeriu që e ka pushtetin presidencial, legjislativ dhe ekzekutiv, i bie ndërmend që t’i ndërlidhë.” – tha ai.
Hoxha shtoi se ai i cili ka fituar zgjedhjet duhet të siguroj kushte që përmes marrëveshjeve politike apo konsensusit të gjej zgjidhje për formimin e institucioneve.
“Konstituimi i Kuvendit është hapi i parë dhe nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje politike paraprake. Asnjëherë zgjedhja apo moszgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshje politike apo është ndërlidh me zgjedhjen e presidentit. Kjo është gjëja më absurde [që po ndodh tani]… Por kur një njeri i ka në dorë të tre autoritetet dhe e shpërfaq këtë mendësi autoritare, që çdo gjë mund të ndërlidhet.” – shtoi Hoxhaj.
Ndër të tjera ai konfirmoi se ka pasur komunikim mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës sa i takon koordinimit se si do duhet të konstituohej Kuvendi dhe se kjo është krejt çfarë ai di.
Hoxhaj gjithashtu foli për përpjekjet e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për të cilin tha se është duke e bllokuar sistemin politik dhe është duke u përpjekur për ta nënshtruar opozitën.
“Unë e di që, për mendësi politike të tilla, edhe opozita shihet si jolegjitime, edhe Kuvendi shihet si pengesë dhe jolegjitim, por ne do të bëjmë çdo gjë që të sillemi në raport me konstituimin e Kuvendit, siç jemi sjell në disa palë zgjedhje në këto 20 vjetet e fundit.” – tha ai.
The post Hoxhaj: Qëllimi i LVV-së është ta ‘çmontojë sistemin politik’, s’janë në pyetje emrat për nënkryetarë të Kuvendit appeared first on Gazeta Express.

