Kosova ka shënuar rritje të infeksioneve me fruth tek fëmijët gjatë dy viteve të fundit, teksa profesionistët shëndetësorë dhe institucionet theksojnë se hezitimi ndaj vaksinave, i nxitur nga teoritë e konspiracionit dhe dezinformimi në internet, ka kontribuar në këtë situatë.
Nga data 16 prill deri më 19 maj, Kosova ka regjistruar 17 raste me fruth, të gjitha te fëmijët që nuk e kishin marrë vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Të gjithë fëmijët e infektuar kanë pasur nevojë për trajtim spitalor, ndërsa një prej tyre ka qenë në kujdes intensiv.
“Trajtimi spitalor dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.”- tha IKSHPK më 19 maj.
Instituti i ka thënë BIRN-it se hezitimi ndaj vaksinave po nxitet nga teori konspirative e dezinformimi në internet që janë shtuar pas pandemisë COVID-19.
Rënia e shkallës së vaksinimit
Rritja e rasteve me fruth vjen si pjesë e një trendi më të gjerë të regjistruar në vitin 2025, kur Kosova ka shënuar 72 raste me fruth—rritje e ndjeshme krahasuar me tre vitet e mëparshme, gjatë të cilave vendi kishte vetëm nga një rast të importuar në vit.
“Në vitet 2022, 2023 dhe 2024 ka pasur vetëm nga një rast çdo vit, dhe të gjitha kanë qenë të importuara.”
Sipas të dhënave të IKSHPK, mbulimi i vaksinimit me MMR në Kosovë ka rënë në 82% në vitin 2025, që është dukshëm nën pragun e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për parandalimin e shpërthimeve të sëmundjes. “Për të parandaluar fruthin rekomandohet mbulueshmëria mbi 95%.”- thuhet nga IKSHPK.
Ndërkohë, në vitin 2024, përqindja e fëmijëve të vaksinuar me MMR ishte 89%.
Vaksina MMR është vaksinë e kombinuar që mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola dhe aplikohet për herë të parë kur fëmijët mbushin një vit.
“Mosvaksinimi në kohë lidhet kryesisht me hezitimin e prindërve ndaj vaksinave, dezinformimin dhe neglizhencën për respektimin e kalendarit të vaksinimit.”- ka deklaruar IKSHPK për BIRN.
Teoritë për autizmin po ndikojnë prindërit
Profesionalistët shëndetësorë theksojnë se një nga pretendimet më të përhapura është teoria e konspiracionit që lidh vaksinën MMR me autizmin, pavarësisht se ekziston një numër i madh studimesh shkencore ndërkombëtare që e kanë hedhur poshtë këtë lidhje.
“Një nga teoritë më të shpeshta konspirative është pretendimi i pabazuar se vaksina MMR shkakton autizëm. Ky pretendim është hedhur poshtë nga shumë studime shkencore ndërkombëtare. Këshilla jonë për prindërit është që të informohen vetëm nga profesionistët shëndetësorë dhe burimet zyrtare.”- kanë thënë ekspertët e IKSHPK për BIRN.
Drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Vera Berisha Ndrejaj, ka deklaruar se fëmijët e prekur nga fruthi janë të lindur në vitin 2025.
Sipas saj, një nga rastet ka pasur një komplikim shumë të rëndë dhe ka kërkuar trajtim në kujdes intensiv, ndërsa rastet e tjera nuk kanë pasur komplikime serioze.
Frika nga autizmi është bërë një nga shqetësimet më të shpeshta që prindërit e shprehin në internet kur hezitojnë për vaksinimin e fëmijëve të tyre, sipas autoriteteve shëndetësore.
“Informacioni i pasaktë dhe teoritë e konspiracionit shpesh krijojnë frikë dhe pasiguri te prindërit, duke kontribuar në uljen e mbulimit të vaksinimit.”- ka deklaruar IKSHPK.
Në janar, Policia e Kosovës ka arrestuar një figurë të rrjeteve sociale, Arianit Sllamniku, nën dyshimin për ushtrim të paligjshëm të mjekësisë dhe për pretendime të rreme se mund të trajtonte autizmin te fëmijët.
Sipas prokurorisë, ai dyshohet se ka kërkuar mijëra euro nga prindërit që kërkonin trajtime për fëmijët e tyre me autizëm.
“Sllamniku, pa kualifikim profesional përkatës, pa licencë dhe pa autorizim ligjor për të kryer veprimtari mjekësore ose farmaceutike, ka kryer trajtime mjekësore dhe konsulta këshilluese me pretendimin se mund të shërojë autizmin.”- ka theksuar gjykata. Më 18 mars, masa e arrestit shtëpiak ndaj tij është ndërprerë.
OBSH: Nuk ka lidhje mes vaksinave dhe autizmit
Më 11 dhjetor 2025, një grup ekspertësh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka rikonfirmuar se nuk ekziston asnjë lidhje shkakësore mes vaksinave dhe autizmit.
“Bazuar në provat ekzistuese, nuk ekziston asnjë lidhje shkakësore mes vaksinave dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit (ASD). Ky përfundim rikonfirmon qëndrimin e OBSH-së se vaksinat e fëmijërisë nuk shkaktojnë autizëm.”
Analiza është diskutuar në komitet më 27 nëntor 2025 dhe është publikuar më 11 dhjetor 2025. Ajo është bazuar në 31 studime shkencore të publikuara mes janarit 2010 dhe gushtit 2025, duke përfshirë të dhëna nga vende të ndryshme.
“Provat e bazuara në 31 studime kërkimore tregojnë fuqishëm profilin e sigurisë së vaksinave të përdorura gjatë fëmijërisë dhe shtatzënisë, dhe konfirmojnë mungesën e një lidhjeje shkakësore me ASD.”- ka shtuar OBSH.
Autizmi përshkruhet si një gjendje neurozhvillimore që ndikon në komunikim, sjellje dhe ndërveprim social. Nuk ka shërim, por mbështetja terapeutike mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës dhe zhvillimin e fëmijëve.
COVID-19 dhe rrjetet sociale kanë thelluar mosbesimin
IKSHPK thekson se dezinformimi në rrjetet sociale është intensifikuar pas pandemisë së COVID-19, duke rritur mosbesimin ndaj vaksinave në përgjithësi, jo vetëm ndaj vaksinës MMR.
Instituti shton se gjatë kësaj periudhe janë përhapur shumë teori konspirative dhe narrativa të rreme në internet, të cilat kanë ndikuar negativisht në besimin e prindërve ndaj vaksinimit.
“Informacionet e pasakta dhe teoritë e konspiracionit krijojnë frikë dhe pasiguri te prindërit.”- ka deklaruar IKSHPK. “Kjo ka ndikuar negativisht në besimin ndaj vaksinimit.”
Një raport i Komisionit Europian i publikuar vitin e kaluar ka gjetur nivele të larta të besimit në teori konspirative në Kosovë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Raporti ka gjetur rënie të besimit në vaksina. Përqindja e kosovarëve që besojnë se vaksinat do të kenë ndikim pozitiv në jetën e tyre në 20 vitet e ardhshme ka rënë nga 46% në 35%, ndërsa perceptimet negative janë dyfishuar.
Në përgjigje të situatës aktuale, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe IKSHPK, së bashku me institucionet lokale, kanë intensifikuar fushatat e ndërgjegjësimit përmes paraqitjeve në televizion, rrjete sociale dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me prindërit.
Po ashtu janë përgatitur materiale të specializuara për pediatër, mjekë familjarë dhe infermierë, me qëllim përmirësimin e komunikimit me familjet hezituese ndaj vaksinimit.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që përhapet kryesisht përmes ajrit, pikëzave të frymëmarrjes dhe kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi fillimisht infekton rrugët e frymëmarrjes dhe më pas përhapet në gjithë trupin.
Simptoma e parë zakonisht është temperatura e lartë, e cila shfaqet rreth 10–12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat 4–7 ditë.
Simptoma të tjera përfshijnë rrufë, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe njolla të vogla të bardha brenda gojës. Pas disa ditësh shfaqet edhe skuqja në lëkurë, e cila zakonisht fillon në fytyrë dhe qafë.
Komplikimet janë më të shpeshta te fëmijët nën 5 vjeç dhe te të rriturit mbi 20 vjeç.
Ky artikull fillimisht është publikuar në gazetën Prishtina Insight


