Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, ka nënshkruar shkarkimin e dy pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës, pasi ata përmes rrjeteve sociale kishin lavdëruar kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Helez tha se me këtë vendim ka bërë të qartë se në Forcat e Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës nuk ka vend për glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte.
“Sapo nënshkrova vendimin për ndërprerjen e kontratave për dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të glorifikimit të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë”, tha Helez.
Ai theksoi se gjatë kohës sa është ministër i Mbrojtjes, nuk do të tolerohet glorifikimi i kriminelëve të luftës brenda Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, rastet e tjera të raportuara janë përcjellë në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës. Sipas Helezit, statusi i personave të përfshirë në këto raste brenda Forcave të Armatosura do të përcaktohet pas vendimeve të institucioneve kompetente të drejtësisë dhe në përputhje me ligjin.
“Forcat e Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës janë ushtria e të gjithë qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës. Ato mbrojnë të gjithë qytetarët tanë, paqen dhe sigurinë, si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë”, deklaroi Helez.
Ai shtoi se ushtria duhet të jetë institucion në të cilin çdo qytetar mund të ketë besim dhe që respekton viktimat, ligjin dhe vlerat e paqes.
The post Helez shkarkon dy pjesëtarë të ushtrisë së Bosnjës, lavdëruan Mlladiqin appeared first on Gazeta Express.

