Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së Abrisë së Epërme, duke shprehur nderim për viktimat e kësaj ngjarjeje.
Në një postim të tij, deputeti ka kujtuar anëtarët e familjes Deliu dhe viktimat e tjera të masakrës, duke thënë se ngjarja mbetet një nga kapitujt tragjikë të historisë së Kosovës.
“28 vjet më parë, forcat serbe kryen një akt barbar ndaj familjes Deliu, duke ekzekutuar 23 anëtarë, nga foshnja disa muajshe deri te plaku 94-vjeçar”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe mësuesin Vesel Demaku dhe nxënësit Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari, të cilët, sipas tij, ranë duke luftuar.
Haradinaj ka theksuar se Kosova gjatë viteve të luftës përjetoi humbje të mëdha njerëzore, shkatërrime dhe spastrim etnik, ndërsa ka vlerësuar se vullneti për liri dhe pavarësi mbeti i palëkundur.
“Lavdi e përjetshme Martirëve të Abrisë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për Atdheun!”, ka përfunduar ai./teve1.info/

