Kriminologu Armend Halimi ka komentuar vrasjen e imamit në Dragash, duke e cilësuar atë si pjesë të një fenomeni shqetësues të vrasjeve që vazhdon ta karakterizojë Kosovën edhe në periudhën e pasluftës.
Halimi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se megjithëse ka pasur përmirësime në aspektin e sigurisë, numri i rasteve të vrasjeve brenda një periudhe të shkurtër mbetet alarmues.
“Duhet thënë fillimisht se dukuria e vrasjeve në Kosovë prej pasluftës është një prej dukurive që e karakterizon pasigurinë njerëzore në vendin tonë. Edhe pse ka premisa për përmirësim, numri i tyre është shqetësues për një periudhë kaq të shkurtër kohore”, deklaroi Halimi.
Ai vlerësoi se Policia e Kosovës reagon në mënyrë profesionale, por theksoi se problemet shfaqen në fazat e mëvonshme të sistemit të drejtësisë.
“Policia e kryen punën e vet mirë, sidomos në reagim. Mirëpo, ky reagim shkon duke u dobësuar te Prokuroria e edhe më keq te Gjykata”, tha ai.
Halimi shtoi se zvarritja e proceseve gjyqësore, veçanërisht në kontestet pronësore, ka bërë që në disa raste qytetarët të marrin drejtësinë në duart e tyre.
“Për vite me radhë e kemi parë se kontestet pronësore e humbin durimin dhe njerëzit e marrin vetëgjyqësinë në dorë. Shteti duhet të punojë më shumë në rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe në identifikimin e pengesave që ka sistemi i drejtësisë, në mënyrë që raste të tilla të zvogëlohen”, tha Halimi.

