Autoritetet iraniane kanë ndërmarrë masa kundër platformës së njohur online Azad, duke e akuzuar atë për publikimin e “të pavërtetave” dhe duke sinjalizuar atë që një aktivist dhe komentator politik iranian e cilëson si një goditje më të gjerë ndaj kanaleve të pavarura në gjuhën perse në YouTube.
Veprimi erdhi vetëm dy ditë pasi The New York Times publikoi një profil të Azadit, duke vënë në pah audiencën në rritje të platformës me bazë në Teheran dhe rolin e saj në organizimin e debateve mbi çështje që rrallë diskutohen në mediat iraniane të kontrolluara nga shteti. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që raportimi i Times ta ketë nxitur veprimin e autoriteteve.
Ndërkohë, vendimi ka nxitur kritika nga gazetarë dhe figura të botës së medias, të cilët kanë vënë në pikëpyetje arsyen përse autoritetet shënjestruan një platformë që ka pritur të ftuar me pikëpamje që variojnë nga kritika të forta ndaj Republikës Islamike deri te mbështetja për establishmentin klerikal.
Mehdi Ahmadi, themeluesi dhe drejtori i Azadit, tha më 17 gusht se ishte thirrur në një zyrë të prokurorisë lidhur me akuzat për përhapjen e informacioneve të rreme dhe ishte liruar me kusht. Ai tha se platformës i ishte ndaluar publikimi i intervistave deri në një njoftim tjetër.
Prokurorët e Teheranit kanë paraqitur gjithashtu një kallëzim kundër personave të përfshirë në program. Agjencia e lajmeve e gjyqësorit, Mizan, e përshkroi Azadin si një “media të paligjshme”, duke thënë se ajo nuk kishte licencë zyrtare nga Bordi Mbikëqyrës i Shtypit dhe Medias të Iranit dhe Ministria e Kulturës.
Prokurorët e akuzuan Azadin për kryerjen e shkeljeve të shumta mediatike, por nuk dhanë detaje.
Hossein Razzagh, një aktivist politik iranian i cili vetë është ndaluar për veprimtari në mediat online, tha se goditja ishte e parashikueshme.
“Prej kohësh ishte parashikuar se Azad përfundimisht do të bëhej objekt i goditjes së Republikës Islamike”, tha Razzagh për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë. Ai iu referua ndalimit të mëhershëm të aktivistit Mehdi Mahmoudian, i cili kishte qenë i përfshirë në një tjetër program në YouTube, Studio Pat.
Razzagh tha se Azadi fillimisht ishte përpjekur të ruante një ekuilibër në programet e saj, por u bë më kritik pas goditjes së përgjakshme ndaj protestave në janar dhe luftës pasuese amerikano-izraelite kundër Iranit.
Mijëra persona u vranë ndërsa autoritetet shtypën protestat mbarëkombëtare në janar. Ndërsa grupet iraniane të të drejtave të njeriut me bazë jashtë vendit thonë se kanë verifikuar rreth 7.000 vdekje, ato thonë se numri real i viktimave ka gjasa të jetë më i lartë.
Razzagh tha se koha kur u ndërmor veprimi kundër Azadit ishte domethënëse, sepse programet në gjuhën persiane në YouTube kanë qenë duke fituar audiencë, ndërsa shpejtësitë e internetit janë përmirësuar dhe shikuesit gjithnjë e më shumë u janë drejtuar burimeve alternative të informacionit.
Transmetuesi shtetëror i Iranit nuk ka qenë në gjendje të tërheqë të njëjtat audienca, tha Razzagh, ndërsa kanalet në YouTube të krijuara nga institucionet e sigurisë ose grupet e lidhura me qeverinë gjithashtu kanë hasur vështirësi në krijimin e një audience masive.
“Ndalimi i Azadit mund të jetë një dritë e kuqe, një paralajmërim për mediat e tjera dhe platformat e tjera online që prodhojnë përmbajtje kritike ndaj qeverisë”, tha ai.
YouTube, sikurse shumica e platformave të tjera të njohura të mediave sociale, është e ndaluar në Iran dhe mund të qaset vetëm përmes programeve proxy.
Azad operon që nga viti 2022, duke organizuar diskutime politike, ekonomike dhe sociale me ekspertë dhe komentatorë iranianë brenda dhe jashtë vendit. Kanali i saj në YouTube ka gati 160.000 abonentë, ndërsa llogaria e saj në Instagram ka më shumë se 30.000 ndjekës.
Platforma ka pritur të ftuar me pikëpamje shumë të ndryshme, përfshirë mbështetës të përfundimit të Republikës Islamike përmes një referendumi kushtetues, përkrahës të rikthimit të monarkisë dhe individë që mbrojnë politikat e shtetit.
Sipas Ahmadit, Azad ishte gjithashtu e përfshirë në organizimin e një interviste mes komentatorit konservator amerikan Tucker Carlson dhe presidentit Masud Pezeshkian. Ahmadi i tha The New York Times se ai ia kishte propozuar intervistën Carlsonit dhe më pas e kishte rekomanduar atë te ekipi i presidentit iranian.
Razzagh tha se përdorimi i akuzës për “përhapjen e të pavërtetave” u mundëson autoriteteve ta paraqesin veprimin si një çështje të zakonshme penale, në vend se si një përpjekje për të shtypur mospajtimin.
“Ata duan të luajnë një lojë me dy anë: të thonë se nuk po i mbyllin zërat kritikë, ndërkohë që po i mbyllin”, tha ai.
Ai paralajmëroi se veprimi mund të shënojë fillimin e një fushate më të gjerë kundër mediave të pavarura online.
“Nëse mediat e tjera të pakta që kanë mbetur dhe që prodhojnë përmbajtje të pavarur nuk i nënshtrohen heshtjes që Republika Islamike dëshiron të imponojë, edhe ato do të bëhen objektiv”, tha Razzagh./REL/
The post Goditja ndaj platformës së njohur të YouTube-it në Iran sinjalizon kufizime të reja appeared first on Gazeta Express.

