Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit me inicialet A.H., i cili dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Shpëlarje e parave”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ku është vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme për sigurimin e zhvillimit të rregullt të procedurës penale.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepra të rënda penale. Nëse i pandehuri lihet në liri, mund t’i shmanget procedurës penale dhe mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë. Po ashtu, ai mund të asgjësojë, fshehë ose falsifikojë provat e veprës penale, si dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek personat e tjerë që eventualisht mund të jenë të implikuar në këto veprime”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Ndaj të pandehurit, procedura penale do të vazhdojë në fazat e mëtejshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

