Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë thirrje për një përcaktim të qartë të drejtimit të kësaj partie, në prag të Kuvendit të LDK-së.
Gashi ka thënë se mbledhja e së enjtes nuk duhet të shihet vetëm si një procedurë statutare, por si një moment i rëndësishëm për të ardhmen e partisë dhe drejtimin që ajo mund t’i ofrojë Kosovës.
“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se në këtë proces duhet të mbizotërojë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesat e ngushta dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra.
Sipas tij, në Kuvend duhet të vendosen themelet e një LDK-je me identitet të qartë, lidership të fortë, vlera të palëkundura dhe guxim për të udhëhequr.
“Vendimet që merren të enjten nuk janë vetëm për sot. Ato do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja”, ka deklaruar ai.
Gashi ka shtuar se Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, ndërsa sipas tij, kjo nis me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse.
“E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë”, ka përfunduar ai.

