Drejtori Ekzekutiv i Sbunker, Fitim Gashi nuk beson që mund të ketë një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidentin.
Ai ka vlerësuar se këto dy parti më shumë po tentojnë të japin përshtypje se po punojnë për një marrëveshje.
Gashi në “InfoNata” në Tëvë1, ka vënë në pikëpyetje besimin mes këtyre dy partive për të gjetur një president konsensual.
“Më shumë më duket një lloj simulimi nga LVV dhe LDK se po tentohet të gjendet një emër konsensual dhe në fund nuk garanton se mund të kemi një emër që do të mund ta merrte mbështetjen edhe nga LVV e LDK. Nuk besoj që ka besim mes këtyre subjekteve politike për të gjetur një president konsensual duke ju referuar asaj që LDK heq dorë nga bashkëqeverisja me LVV-në”, ka thënë ai.
Ai duke folur për takimin e fundit mes Kurtit e Abdixhikut, ku dy politikanët u shprehen se kandidatët për presidentë janë në kuadër të parimeve të diskutuara, tha se ata më shumë po tingëllojnë si komision për rekrutimin e punëtorëve.
“Kurti e Ambdixhiku më shumë po tingëllojnë si një komision që krijohet pas shpalljes së konkurseve, ku ai komision i merr në pyetje. Vet Kurti e përmendi që s’i kanë pyetur kandidatët dhe tash kur të krijohet lista këta do t’i pyesin këta kandidatët nëse pranojnë a po jo. Në bazë të dinamikave që po paralajmërohen, kjo do të merr kohë ende”, ka thënë ai.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u ndan mbrëmë të kënaqur me propozimet e të dyja palëve për President konsensual. Prandaj, të dy thanë se dakordimi është i mundur të gjendet. Megjithatë, kaq optimist nuk janë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

