By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Fituesit dhe humbësit e ujdisë së paqes!
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Fituesit dhe humbësit e ujdisë së paqes!
TOP Momenti

Fituesit dhe humbësit e ujdisë së paqes!

Momenti
Published: June 22, 2026

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për Paqe midis ShBA-së dhe Iranit më 17 qershor në Versajë, kudo edhe në ShBA, janë ndezur debatet dhe diskutimet e nxehta se kush humbi dhe kush fitoi nga kjo marrëveshje. Ndonëse ajo është vetëm paraprake, një deklaratë qëllimesh në pritje për t’u konkretizuar në detaje gjatë dy muajve të ardhshëm, por që siç duken bathët do të vonojë më gjatë. Shtyrja e parë pa afat filloi qysh me mosfillimin e tyre sipas planit më 19 Qershor. Sepse “djalli qëndron te detajet” të cilat janë të shumta dhe të ngatërruara. Se bëhet fjalë për tema madhore me një vend si Irani, ”mjeshtër” për naze, truke, shtyrje dhe zvarritje diplomatike.

Presidenti Trump edhe këtë radhë u tregua i paduruar. Ashtu si me ultimatumet, edhe nënshkrimin e Memorandumit tri javët e fundit e njoftoi plot 40 herë! Dhe nuk priti deri më 19 Qershor, kur ishte fiksuar data e nënshkrimit zyrtar në Zvicër, por e bëri këtë më 17 Qershor me bujë në Versajën mbretërore.

Your browser does not support the video tag.

Padyshim kjo marrëveshje paraprake është ngjarje me rëndësi të madhe, ai i çel rrugën përfundimit të krizës, duke krijuar premisat dhe kushtet e duhura për rivendosjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, me efekte të mëdha për politikën, ekonominë dhe tregtinë globale të mallrave dhe shërbimeve.

Ashtu siç edhe pritej, Presidenti Trump po e ngre në qiell këtë marrëveshje, e cila le ta theksojmë është vetëm paraprake, si sukses shumë të madh dhe historik.

Your browser does not support the video tag.

Nga ana tjetër, lidershipi Iranian e konsideron këtë dokument paraprak si fitore të tij dhe dështim, madje dorëzim të ShBA-së. Këtë mendim e kanë edhe demokratët dhe mediat kryesore amerikane. James Rubin, ish zëvendëssekretar i Departamentit të Shtetit u shpreh se “ kjo marrëveshje ishte fiasko diplomatike“ për SHBA-në.

Por akoma më shqetësuese për Presidentin Trump është fakti i hidhur se kritika të shumta dhe tejet të ashpra po vijnë edhe nga kampi republikan, madje nga mbështetësit e tij më besnikë. Mes shumë kritikëve të tjerë, rivali i brendshëm i Trumpit, senatori Bill Cassidy shprehet se “Ronald Regani do të dridhej në varr nga kjo gafë, më e madhja në politikën e jashtme amerikane në dekadat e fundit“.

Ndërsa, kryetari i Komitetit të Mbrojtjes të Senatit, republikani veteran Roger Wicker, duke iu referuar fondit prej 300 miliardë dollarë për rindërtimin e Iranit thotë se kjo dhe të tjera klauzola kanë hedhur hije të mëdha dyshimi edhe mbi vetë suksesin ushtarak. Kjo do të thotë të financosh mullahët për të vrarë ushtarët dhe njerëzit tanë“. Ka të tjerë që shkojnë edhe më larg, duke e konsideruar Memorandumin një kapitullim përpara Iranit dhe jo dorëzimin e tij, siç pretendon Trump. Këtyre kritikave u janë bashkuar edhe komentatorët mediatikë konservatorë si Tuck Carlson dhe të tjerë. Ndërkohë kritikët po paralajmërojnë se Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati nuk do të miratojnë Marrëveshjen përfundimtare, nëse do të ketë një të tillë, pa bërë ndryshime të mëdha dhe duke hequr lëshimet skandaloze që i bëhen.

Vlerësime të ngjashme negative për ShBA-në japin pothuajse të gjithë ekspertët më të njohur amerikanë dhe të huaj. Kështu, Barry Posen, profesor amerikan i sigurisë, historiani gjerman Peter Neuman i King‘s College në Londër, etj pohojnë qartësisht se megjithë rezervat, fituesi i madh i paqes në këtë rast është Teherani.

Ndërkohë, Gideon Rose, historian i famshëm amerikan, autor i bestsellerit ”Si mbarojnë luftërat” e kishte parashikuar me kohë këtë zhvillim kur thoshte se “Ajo çka do të ndodhë më vonë midis ShBA-së dhe Iranit do të jetë ndoshta një marrëveshje që t’i japi fund luftës dhe të lejojë rifillimin e qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, por aspektet e tjera do të mbeten të paqarta. Tamam si në vitin 1973 lidhur me fatin e Vietnamit të Jugut, edhe programi bërthamor bashkë me fatin e regjimit në Iran do të vendosen më vonë në kohë” …

Që fituesi i vërtetë të paktën në një plan afat-shkurtër është Irani, le të krahasojmë Memorandumin në fjalë me objektivat amerikane të ndërhyrjes ushtarake në Iran.

Më 28 Shkurt Presidenti Trump, i nxitur nga suksesi i luftës së vjetshme 12 ditore kundër Iranit urdhëroi sulmin dhe bombardimet ndaj tij; me mendimin e gabuar se fitorja ushtarake do ishte e lehtë, ”blic” dhe formalitet falë supremacisë së padiskutueshme amerikane. Sipas tij, kjo luftë do të zgjaste vetëm 3-4 javë.

Synimet madhore të atij sulmi ushtarak ishin ekzekutimi i udhëheqësve më të lartë iranianë, përmbysja e regjimit të mullahëve, zëvendësimi i tij me një regjim të ri nga opozita ose me një lider tjetër si Riza Pahlavi, shkatërrimi i flotave ajrore dhe detare, bazave raketore, konfiskimi ose shkatërrimi i uraniumit të pasuruar, dhe i ushtrive rezervë të Irnait, huthëve dhe Hezbollahut në Liban.

Padyshim që ShBA-ja pati sukses në planin ushtarak, por ai ishte vetëm në planin taktik; ndërsa në planin strategjik ata praktikisht dështuan.

Kështu, të dhënat nga burime të sigurta amerikane e përgënjeshtrojnë pretendimin se ShBA-ja ka shkatërruar gjithë flotën detare dhe ajrore dhe e bazat raketore të Iranit. Pavarësisht dëmtimeve serioze, sërish Irani ka të paprekur gati gjysmën e flotës detare dhe ajrore. Kjo u pa edhe në sulmet që ai ndërmori këto muaj kundër bazave amerikane dhe atyre të vendeve të Gjirit.

Me ndërhyrjen e tyre ushtarake dhe bombardimet e fuqishme, ShBA-ja nuk e realizoi as synimin tjetër më të rëndësishëm, shkatërrimin ose dorëzimin nga Irani të sasisë prej 400 kilogramë të uraniumit të pasuruar. Kjo është lënë të diskutohet gjatë bisedimeve të ardhshme, por përbën një pikë tejet të vështirë, ku Irani do të rezistojë shumë. Madje, sipas disa ekspertëve të njohur, duke parë se pa armën bërthamore Irani nuk mund të rezistojë gjatë, kjo mund ta shtyjë atë që të përshpejtojë përpjekjet për prodhimin e bombës atomike. Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë po sipas ekspertëve, amerikanët do të jenë humbës në të gjithë zinxhirin e luftës, ndoshta edhe më keq se në Vietnam.

Ashtu siç u përmend më lart, amerikanët dështuan në fushën e strategjisë ushtarake mbasi iranianët jo vetëm që bënë rezistencë të madhe, por ata e shpërndanë luftën asimetrikisht duke goditur bazat ushtarake amerikane dhe vendet fqinje; kryesorja, ato filluan luftën ekonomike e cila kulmoi me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, e cila tronditi të gjitha tregjet dhe bursat botërore të naftës dhe karburantit me efektet tashmë të njohura.

Kjo ndodhi, sepse siç pohojnë profesorët e shquar të kësaj fushe, Thomas Jäger dhe Philipp Gassert ”Trumpi fillon një veprim pa ditur fundin; ai vepron në mënyrë impulsive, me padurim strategjik, pa mendim diplomatik, pa plan dhe pa një qëllim të caktuar”. Siç thotë kancelari Merz, Trumpi e ka injoruar nevojën gjeopolitike që “kur hyn në një konflikt duhet të dish edhe si të dalësh prej tij”

Ky gjykim i gabuar bëri që Administrata amerikane ta merrte si të mirëqenë fitoren ushtarake, duke mos menduar seriozisht hartimin dhe zbatimin e një plani tërësor me strategji hyrëse dhe dalëse, jo vetëm me objektiva ushtarake, por edhe politike, ekonomike, diplomatike, etj. Kryesorja, askush dhe as vetë Trump nuk pyeti ndonjëherë se çdo të ndodhte, sidomos në rast se nuk realizoheshin objektivat e saj dhe Irani ofronte rezistencë apo kalonte në luftë asimetrike, siç edhe ndodhi.

Në kushtet e mësipërme, Trumpit i mbetej vetëm alternativa e futjes së trupave tokësore në Iran, çka do të ishte me pasoja të pallogaritshme për ShBA-në. Mbi të gjitha për imazhin dhe prestigjin e Presidentit Trump brenda vendit, që edhe kështu kishte rënë në nivelet më të ulëta historike.

Vërtet që ShBA-ja e realizoi objektivin e parë kryesor; brezi i parë i udhëheqjes më të lartë iraniane dhe 400 drejtues të tjerë të lartë, duke përfshirë edhe vetë Kamenein u asgjësuan qysh në ditët e para të sulmit ushtarak. Megjithatë, ndryshe nga sa kishin shpresuar Trump dhe Netianahu, regjimi i mullahëve jo vetëm nuk u përmbys, por u forcua akoma më shumë. Administrata amerikane injoroi faktin se në 47 vitet e ekzistencës së tij në pushtet, regjimi iranian kishte ndërtuar jo një e dy, por shumë shtresa lidershipi, çka ka bërë të mundur që politikisht dhe institucionalisht regjimi i mullahëve jo vetëm të mos binte dhe të dobësohej, por ai u forcoi kohezionin dhe unitetin e tij. Për pasojë, tani në Teheran veprojnë disa rryma, ku mbizotëron krahu më i ashpër, çka e vështirëson dialogun diplomatik, që sipas ekspertëve ishte më i lehtë gjatë sundimit të Kameneit. Madje ata pohojnë se këtij të fundit nuk i kishte shkuar në mendje mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe kthimi i saj në “një bombë“ atomike, çka e bëri me shumë sukses djali i vet bashkë me pasardhësit e tij.

Veç sa sipër, ShBA-ja dhe presidenti Trump e lanë në baltë opozitën iraniane, humbësja tjetër e madhe, megjithë premtimet e bujshme në prag të fillimit të ndërhyrjes ushtarake. Krahas pasojave të tjera të rënda për opozitën iraniane, vetëm në janar u vranë afro 30 mijë protestues paqësorë dhe u burgosën me mijëra të tjerë, mes tyre dy nobelistë të Paqes.

Ndërkohë, krahas këtij bilanci negativ për ShBA-në, Memorandumi në fjalë shënon edhe disa arritje domethënëse për Teheranin. Suksesi i madh është heqja e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj tij, duke përfshirë edhe ato të KS të OKB-së, çka i çel mundësi të mëdha për eksportin e naftës dhe produkteve të tjera dhe për rrjedhojë fitime të majme ekonomike. Për rrjedhojë, Irani tani mund të sigurojë fondet për financimin e shtuar të kërkimeve shkencore për prodhimin e bombës atomike.

Po aq i madh është suksesi tjetër, sigurimi i një fondi prej 300 miliardë dollarë nga ShBA-ja dhe vendet e Gjirit për rindërtimin e vendit. Edhe pse Trump fillimisht e mohoi dhe tani thotë se kjo do të jetë e kushtëzuar me zbatimin e kushteve dhe premtimeve të Iranit, prapë ky është sukses i madh për Iranin, bashkë me kthimin e aseteve të ngrira të tij në shumën rreth 50 miliardë dollarë.

Po aq e rëndësishme për Iranin është garancia e shprehur për të mos sulmuar Libanin, pra as Hezbullahun, ushtrinë rezervë të Iranit. Por, edhe kjo pikë është tejet e diskutueshme mbasi Izraeli qysh tani e ka shkelur. Këtu është vendi të theksojmë se Izraeli dhe Kryeministri Netanyahu është humbësi tjetër më i madh i Memorandumit të Paqes. Kjo e ka gjetur në momentin më të vështirë Netanyahun, i cili në tetor do t’i nënshtrohet zgjedhjeve të reja parlamentare. Ndaj tij po shigjetohen kritika dhe akuza të rënda për cenimin e sigurisë së Izraelit. Sepse ai nuk e mbajti premtimin e jetës, siç e quan shkatërrimin e Iranit dhe ushtrive të tij rezervë; po asntu, në lojë është edhe aleanca e tij me ShBA-në, për të mos përmendur qëndrimet e ashpra të BE-së. Këto janë dhurata të çmuara për Iranin. Me humbje dolën edhe vendet e tjera të Gjirit; megjithë premtimet, kërcënimin iranian do ta kenë prapë te koka, duke rrezikuar stabilitetin dhe begatinë e tyre.

Këto akte dhe fakte mjaftojnë për të pranuar suksesin diplomatik të Teheranit më Memorandumin e Mirëkuptimit. Natyrisht kjo ka edhe rezervat e dyshimet e veta, mbasi edhe udhëheqja e lartë iraniane do të duhet të mbrojë këto arritje përballë shtimit të trysnisë amerikane. Nga ana tjetër, nëse ajo nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë me prodhimin e bombës dhe pasurimin e Uraniumit, apo nuk do të sigurojë dot fondin prej 300 miliard Dollarë, kjo do të çojë në rritjen e kundërshtimit dhe trysnisë brenda vendit nga vijashpërit iranianë. Pra mund të thuhet se edhe suksesi i tanishëm i Iranit është “thikë me dy presa“. Por, gjithsesi, për momentin, ai i jep kohë, frymëmarrje dhe hapësirë regjimit në Iran që ta marrë veten dhe për t’u përgatitur për fazat e tjera. Për Teheranin rëndësi përcaktuese ka që mbijetoi tej çdo parashikimi dhe mund të vijojë me planet e tij.

Nisur nga sa sipër, me të drejtë në ShBA dhe gjetkë shtrohet pyetja e cila është tejet e vështirë për t’i dhënë përgjigje se atëherë përse u desh kjo ndërhyrje ushtarake kundër Iranit me kosto aq të lartë njerëzore, materiale dhe financiare? Sepse ky Memorandum, madje edhe më i favorshëm për ShBA-në mund të ishte nënshkruar me bisedime të cilat në fakt kishin nisur me kohë në Gjenevë, por ato u ndërprenë nga ShBA-ja nën ndikimin e Izraelit me logjikën e forcës ushtarake.

Megjithatë, parë nga këndvështrimi realpolitik, me nënshkrimin e këtij Memorandumi ShBA-ja gjeti zgjidhjen dhe rrugëdaljen më të mirë nga një gjendje “as luftë as paqe”. Sepse vazhdimi dhe përshkallëzimi i luftës do ta shtonte akoma më shumë pakënaqësinë e amerikanëve edhe brenda MAGA, duke shkaktuar kosto të papërballueshme politike, ekonomike dhe ushtarake edhe për vetë ShBA-në. Pastaj, zgjedhjet e mesmandatit në nëntor nuk janë as katër muaj larg, fushata po fillon dhe treguesit e deritanishëm janë dukshëm në disfavor të republikanëve. Sipas sondazheve më të fundit, rritja e çmimeve të karburantit dhe energjisë me mbi 4 dollarë për galon, inflacioni mbi 4 për qind dhe simpatia publike për Trump që ka rënë në 30 për qind dhe kur 70 për qind e popullsisë amerikane janë shumë më të interesuar për gjendjen e tyre ekonomike dhe uljen e çmimeve se sa objektivat e luftës në Iran u bënë kambana të fuqishme alarmi për një dalje të butë nga kriza, natyrisht duke e “ ambalazhuar” Memorandumin si ujdi dhe sukses të ri të Trump.

Lidhur me këtë ujdi, dy fituesit e tjerë janë padyshim Pakistani dhe Katari, si ndërmjetësuesit kryesorë në bisedimet e zhvilluara për Memorandumin në fjalë.

Dhe tani dy fjalë lidhur me pretendimin e Trump se brenda 2 muajve ai bëri një marrëveshje më të mirë se Obama në vitin 2015 kur iu deshën dy vjet për Marrëveshjen e Paqes me Iranin! Mirëpo, Trumpi harron se gjërat në diplomaci, sidomos marrëveshje të kësaj natyre nuk bëhen “ me yrysh dhe me metodën e aksionit” por me ngadalë; mbi të gjitha nga ekipe diplomatësh karriere. Në fakt, Marrëveshja e Veprimit të Përbashkët Gjithëpërfshirëse (JCPOA) ishte produkt i përbashkët i diplomacisë amerikane, kineze, ruse, gjermane, britanike, franceze dhe BE-së, e cila i mbulonte të gjitha aspektet themelore edhe pse e përkryer nuk kishte si të ishte. Mirëpo, në vitin 2018, Trump doli nga ajo me pretendimin se i bënte shumë lëshime Iranit, ndërsa ShBA-ja doli me humbje. Duke premtuar, një marrëveshje më të mirë se ajo e 2015, çka duket mision i pamundur. Ndaj, krahasimi me JCPOA nuk shkon, mbasi ky tani është vetëm një memorandum me 2 faqe, ndërsa Marrëveshja e vitit 2015 ishte dokument i plotë me të gjitha teknikalitetet proceduriale.

Së fundi, ajo çka mund të thuhet me siguri për Ujdinë paraprake të Paqes me Iranin është “ujdi po, por paqe jo“! Sepse paqja e vërtetë është ende shumë larg. Ndaj, urojmë që të tani e tutje të mos kemi thjesht një pauzë midis dy luftërave.

You Might Also Like

Mjekë dhe personel mjekësor do të trajnohen për zbulimin dhe paraqitjen e korrupsionit
KRU “Prishtina” kërkon nga konsumatorët që të kenë kujdes me përdorimin e ujit
Pas përplasjeve në Aeroportin e Vlorës, Pacolli kërkon hetim urgjent nga SPAK
Ndalohen tre shoferë në Gostivar, drejtonin makinat pa leje për vozitje
Gërvalla zyrtarizon çmimin “Sali Çekaj” në 70-vjetorin e lindjes së heroit

You Might Also Like

Letra e Haxhiut për KGJK-në: Të trajtohen pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të vitit 2022
TOP Momenti

Letra e Haxhiut për KGJK-në: Të trajtohen pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të vitit 2022

June 22, 2026
Zhduket një vajzë në Zveçan, rasti po hetohet
TOP Momenti

Zhduket një vajzë në Zveçan, rasti po hetohet

June 22, 2026
I kanosi me vrasje katër zyrtarë policorë në Pejë, arrestohet i dyshuari
TOP Momenti

I kanosi me vrasje katër zyrtarë policorë në Pejë, arrestohet i dyshuari

June 22, 2026
Nesër afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme, gati 12 mijë vende të lira
TOP Momenti

Nesër afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme, gati 12 mijë vende të lira

June 22, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?