Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vlerësuar se ato janë mesazh për mbrojtjen e lirisë dhe vlerave demokratike.
Fetoshi tha se sulmet e 11 shtatorit 2001 nuk ishin vetëm sulme që shkaktuan mijëra viktima, por edhe sprovë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar bota demokratike.
Sipas tij, kjo sprovë vazhdon edhe sot, një çerek shekulli më vonë, me sulmet hibride dhe ambiciet revizioniste të diktaturave moderne.
“Prandaj, 11 Shtatori është mesazh që na kujton se LIRIA duhet të mbrohet çdo ditë, edhe nesër me Marshin në Prishtinë, dhe se mbrojtja e saj kërkon unitet e vendosmëri”, ka thënë Fetoshi.
Duke iu referuar Marshit për Liri, që do të mbahet nesër në Prishtinë, Fetoshi e ka ndërlidhur mesazhin e 11 Shtatorit me nevojën për unitet në mbrojtjen e lirisë dhe të vlerave mbi të cilat është ndërtuar Kosova.
“Nderim viktimave – që ta mbrojmë rendin e lirisë dhe demokracisë!”, përfundoi Fetoshi.

