Mbrëmë, edhe në Skenderaj nisi “Ora e Pritjes”, numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit, në pritje dhe mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktiviteti u organizua nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në komunat e Republikës së Kosovës nën moton “Kosova po pret”.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tha se Drenica do të jetë gjithmonë në mbështetje të luftës dhe çlirimtarëve.
“Nga Skenderaj, nga zemra e Drenicës, mesazhi ynë është i qartë: ne i presim çlirimtarët tanë me besim në drejtësi dhe me krenari për luftën e UÇK-së. Kosova po pret kthimin e tyre.”, tha Lushtaku.
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se “Ora e Pritjes” po e bashkon Kosovën rreth një mesazhi të përbashkët.
“Nga qyteti në qytet, Kosova po bashkohet në një pritje të vetme. Ora po numëron mbrapsht, ndërsa mesazhi ynë vetëm sa po bëhet më i fuqishëm: presim drejtësi dhe liri për çlirimtarët.”, tha Tasholli.
Ndërkaq, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, bëri thirrje për mobilizim masiv në Marshin për Liri, më 12 shtator në Prishtinë. “Më 12 shtator duhet të jemi të gjithë në Prishtinë. Katër ditë para vendimit të 16 shtatorit, Kosova duhet ta bëjë të dëgjueshëm zërin e saj për drejtësi, liri dhe për historinë tonë.”, tha Hoxha.
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka organizuar Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para vendimit që pritet më 16 shtator në Hagë. Marshi për Liri pritet të jetë një nga marshimet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, duke bashkuar qytetarë nga e gjithë Kosova dhe diaspora në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

