Zyrtarët doganorë në Zyrën e Brendshme Doganore në Prizren, gjatë procedurave të kontrollit dhe verifikimit të një importi, kanë identifikuar parregullsi në deklarimin dhe përshkrimin e mallit.
Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe gjendjes faktike të mallit, deklaruesi kishte deklaruar se bëhej fjalë për makineri të përdorura, ndërsa çmimi i blerjes ishte deklaruar mbi bazën e kësaj karakteristike.
“Megjithatë, gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit të tabelave identifikuese të makinerive, zyrtari doganor ka konstatuar se makineritë ishin të vitit 2026, duke evidentuar mospërputhje ndërmjet të dhënave të deklaruara dhe gjendjes faktike të mallit. Si rezultat i këtyre konstatimeve, është identifikuar një shmangie e detyrimeve doganore në vlerë prej 37,800 euro”, thuhet në njoftim.
Në bazë të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 08/L-247, rasti është trajtuar si deklarim i pasaktë.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe në parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore. Kontrollet dhe verifikimet e deklarimeve synojnë të sigurojnë deklarim të saktë të mallrave, zbatim të legjislacionit në fuqi dhe konkurrencë të drejtë në treg.
Dogana e Kosovës do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve dhe masave për parandalimin e evazionit fiskal dhe të deklarimeve të pasakta, në funksion të mbrojtjes së të hyrave publike dhe zbatimit të ligjit. /Telegrafi/
