Në Tiranë ka vijuar edhe sot, në ditën e 86-të, protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Si në çdo protestë të mëparshme, pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, raportojnë mediat shqiptare.
Qytetarët vijojnë të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Në mesazhet e tyre, qytetarët shprehen se do të vijojnë me protestën deri në largimin e qeverisë.

