Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 30 dhjetor 2025 ndaj 21 personave të akuzuar për masakrën e Reçakut, dëshmi për këtë rast nga mundësia hetuese e veçantë ka dhënë William Walker para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ai ka rrëfyer se si kuptoi për ngjarjen, çfarë pa kur shkoi në vendin e ngjarjes, gjendjen e trupave të masakruar dhe veprimet që e pasuan atë ditë, raporton BetimipërDrejtësi.
Sipas aktakuzës, Walker ka deklaruar se në vitin 1998 kishte ardhë në Kosovë në cilësi të kryesuesit të misionit verifikues të OSBE-së dhe më 15 janar 1999 rreth orës 18:00-19:00 pasi ishte kthyer në Prishtinë nga Mali i Zi, ishte njoftuar nga zëvendësi i misionit të OSBE-së, generali Gjon apo siç njihej gjenerali Dizet nga Mbretëria e Bashkuar, se gjenerali i ushtrisë Llonqak i cili ishte përgjegjës për dhënien e infomatave tek zyra e komisionit verifikues, kishte dhënë informacione për një betejë të ndodhur në vendin e quajtur Reçak. Sipas tij, beteja kishte ndodhur mes pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe njësisë ushtarake të Serbisë.
Gjenerali Llonqar, sipas tij, i kishte thënë gjeneralit Dizet se në këtë betejë, 15 pjesëtarë të UÇK-së ishin vrarë dhe se nga pjesëtarët e forcave të sigurisë serbe nuk kishte pasoja. Sipas Dizet, kishte pasur informacion jo të saktë të marrë nga Lloqnak.
Walker ka deklaruar se duke parë që gjenerali Dizet dhe zyrtari i tyre i zyrës regjionale në Prizren kanë vërtetuar se diçka në këtë betejë nuk ishte në rregull kishin vendosur të shkojnë në vendin e ngjarjes, ku kishin ftuar edhe Lloqnakun, por që ai kishte refuzuar të shkonte.
Çfarë pa Walker në vendin ku ndodhi Masakra?
Sipas aktakuzës, Walker ka deklaruar se të nesërmen ishte nisur për Reçak dhe se aty kishte pasur pjesëtarë të OJQ-ve dhe gazetarë dhe se pas njoftimit të gjeneralit Meizon se kishte më tepër se 15 persona të vrarë, atëherë kishte vendosur që të shkonte pikërisht te vendi për t’i parë për së afërmi.
Walker në dëshmi ka rrëfyer se ka parë kufomat pa kokë, një burrë të shtrirë në shpinë me disa ndryshime në kafkë i cili kishte qenë me veshje civile, e cila veshje ishte tipike e një fshatari që punon tokën, s’kishte shenjë identifikuese që e identifikonte si ushtarak. Kishte deklaruar se ka parë plumba që kishin depërtuar në trup, plagë, gjak që kishte rrjedhur nga plagët, dhe nuk kishte parë gjurmë që trupi ishte zhvendosur apo larguar, por kishte qenë aty i vrarë.
Në luginën e ngushtë që të shpinte në pjesën e sipërme të fshatit, Walker ka deklaruar se kishte parë trupa të tjerë të njerëzve të vdekur, të gjithë kishin mbetur në pozicionin siç i kishin vrarë, në trupat e tyre kishte pasur vrima, depërtim plumbash në kokë, secili prej tyre kishte veshje civile dhe se s’kishin shenja apo diçka të identifikimit si pjesëtarë të UÇK-së.
Gjithnjë sipas dëshmisë së Walker, shumica e viktimave ishin të moshës së re apo mesatare, të gjithë meshkuj, kishte parë diku 17, 18 apo 19 trupa, prej tyre 2-3 të moshës më të vjetër të cilët kishin pasur plisa dhe nuk kishte përreth tyre ndonjë armë apo gëzhojë.
Verifikuesit që kanë qenë aty, thuhet se erdhën në përfundim se gjuajtjet kishin ardhur prej lart brenda shtratit ku kanë qenë trupat, ku është gjuajtur nga dy kodra, dhe se aty janë gjetur karikatorë dhe gëzhoja.
Walker ka theksuar se kryesisht të gjitha plagët kanë qenë në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë. Atij i kishin thënë se kishte më shumë viktima, por nuk kishte arritur t’i shihte të gjithë trupat, 45 sa ishin gjithsej, por vetëm gjysmën e tyre.
Sipas aktakuzës, Walker u kishte thënë verifikuesve që të realizonin fotografi sa më shumë që të mundeshin, pasi që kishte shumë viktima, me qëllim që verifikuesit të sigurojnë sa më shumë dëshmi dhe fotografi.
Çka i thanë dëshmitarët dhe çka deklaroi Walker për gazetarët?
Pas kësaj, ai ka treguar se kishte shkuar në fshat për të biseduar me ndonjë dëshmitar lidhur me masakrën, e që vazhdimisht po përcjellej nga gazetarët. E gazetarët që flisnin anglisht mendon se ishin nga ekipi i CNN, për të cilët kishte dhënë intervistë të drejtpërdrejtë ku ndër të tjera ka deklaruar: “Vetëm mund t’ju them se ishte një ngjarje e tmerrshme dhe po mundohem të kuptoj më së miri se çfarë ka ndodhur prej dje, mirëpo nuk dua të bëj ndonjë konkluzion këtu, por pasi që të kthehem në zyrë, atje do të jap konferencë për shtyp”.
Walker ka rrëfyer se si i ka intervistuar dy gra për të kuptuar se çka ka ndodhur në ditën kritike, dhe me këtë rast ato kanë deklaruar se fshati ishte bombarduar me artileri dhe me tanke, dhe se pas ndërprerjes së sulmit, njësitet policore ishin lëshuar mbi fshat dhe kishin kërkuar që meshkujt të dilnin. Shumica e tyre kishin dalë për të parë se çfarë ka ndodhur, mirëpo disa ishin frikësuar dhe tentuan të iknin në drejtime të ndryshme.
Sipas Walker, ishin mbledhur burra, fëmijë dhe disa të vjetër në grup dhe kishin marshuar në drejtim të shtratit të lumit deri në kodër lart, duke menduar se po dërgohen për intervistim ose t’i rrahin, ose të dyja bashkë. Këtë situatë njëjtë e kishte spjeguar edhe një burrë që kishte arritur të ikte, e i cili u kishte kërkuar verifikuesve dhe ekipeve të tyre që të mundohen të mbledhin sa më shumë dëshmi.
Si i përshkruan William Walker veprimet e gjyqtares serbe Danica Marinkoviq?
Kurse, gjyqtaren Danica Marinkoviw kishte thënë se e kishte njohur disa muaj para masakrës, por jo për herë të fundit se kishte ndërhyrë në hetime që janë bërë ndaj ndërkombëtarëve.
Sipas aktakuzës, Marinkoviq kishte vendosur kushte për verifikuesit e Walker që ata të mund të hyjnë në Reçak, por duhet të jenë të shoqëruar nga Policia.
Për këtë situatë, gjenerali Dizen kishte paralajmëruar gjyqtaren Marinkoviq që nëse vendosin kushte, mund të rrezikohej jeta e verifikuesve sepse mund të kishte shkëmbim eventual zjarri dhe kishte shkëmbyer fjalë të rrepta me të.
Walker ka deklaruar se në konferencë për shtyp kishtë thënë se duhet të ketë edhe hetim ndërkombëtar ose ekspertë të forenzikës në rast se qeveria nuk pajtohet me atë se çka kishte ndodhur në Reçak. Pra, të mos lejohej vetëm Qeveria e Beogradit të bëjë hetimin, por të ketë edhe hetim ndërkombëtar.
Për këtë arsye, ishte ftuar ekspertja finlandeze, doktoresha Ranta të bëjë ekzaminimin forenzik, e cila kishte kërkuar të mos bëhet autopsia derisa të vinte ekipi i saj, Por, thuhet se gjyqtarja Marinkoviq duke shfrytëzuar të drejtën e saj legjitime që me gjasë e ka marrë edhe nga ndonjë gjykatë e Serbisë, me ekipin e saj kishte bërë autopsinë e 5-8 trupave të cilët ishin më të dëmtuarit, duke mos iu mundësuar ekzaminuesve ndërkombëtarë të bëjnë edhe një herë ekzaminimin.
Ish-ambasadori Walker ka deklaruar që Marinkoviq kishte insistuar që familjarët të vijnë t’i identifikojnë trupat të cilët ishin dërguar në Prishtinë, e ndërkohë ata të frikësuar nga ngjarja që kishte ndodhur, u ishin dashur disa ditë të shkojnë për t’i identifkuar familjarët.
Më tej, Walker ka deklaruar se kishte kuptuar nga verifikuesit dhe zëvendësi i tij gjerman- të cilët e kishin përcjellë ngjarjen, se trupat ishin hedhur në pjesën e prapme si valixhe në bagazhin e makinës.
Gjithashtu, ka deklaruar se doktoresha Ranta kishte nxjerrë një raport të autopsisë për viktimat, të cilin e kishte parë por s’e ka lexuar tërësisht.
Walker dëshmoi para Gjykatës në Prishtinë se ishin mbajtur dy konferenca për shtyp, njëra më 16 janar, 1 ose 2 orë pas kthimit nga Reçaku, kurse e dyta dy muaj më vonë. Ka thënë se Randa kishte ardhë në Prishtinë dhe me organizim të OSBE kanë mbajtur konferencë, ku ishte pjesëmarrës edhe një përfaqësues i korit diplomatik finlandez në Beograd.
Walker u shpreh i dëshpëruar me dr.Rantan, me arsyetimin se kur u pyet nëse ekzaminimi i saj konfirmon, vërteton apo kundërshton deklaratën e Walker, i cili e kishte cilësuar rastin si masakrër, krim kundër njerëzimit, e krim lufte, ajo ishte nervozuar duke thënë se nuk është juriste. Megjithëse, në fund theksoi se ishte masakër, por jo në atë kuptim ligjor.
Si erdhi në përfundim që ngjarja në Reçak ishte masakër?
Lidhur me atë se e quajti masakër që herën e parë, Walker deklaroi se “atë çka kam parë në Reçak, nuk jep shpjegim tjetër”. E kjo sipas tij, bazuar në trupat e shumta të viktimave, të gjymtuar, grupe trupash, të gjithë me tipare të personave civilë.
Me atë sa i kujtohet dhe çfarë ka parë në pllakën përkujtimore, Walker e di që më i riu i vrarë në atë masakër ishte 14-vjeçar e më i vjetri 99-vjeçar, dhe se asnjë prej tyre nuk mund të mendohet se ishte luftëtar i UÇK-së.
Rreth kryerës e të vrasjes së civilëve, Walker ka thënë se nuk ka qenë dëshmitar i momentit të vrasjes, por dëshmitarët dhe verifikuesit i kanë treguar se një natë para ditës kritike, burrat e fëmijët kanë qenë të grumbulluar e të paarmatosur në një vend, kanë kaluar nëpër fshat nën tytat e policisë në shtratin e lumit deri në kodër, e herën tjetër i ka parë të vdekur.
Për këtë çështje, William Walker ka thënë se edhe po të ishin ushtarë të UÇK-së viktimat, të cilët janë zënë dhe përcjellë me armë, edhe po të ishin ekzekutuar, prapë do të ishte krim lufte sepse ishin të paarmatosur.
“Ai shtiu se aty gjendja e trupave ishte e rëndë, njëri ishte pa kokë, ndërsa të gjithë të tjerët rëndë të dëmtuar”, citohet se deklaroi Walker.
Krejt në fund, ka thënë se ka dhënë deklaratë edhe pranë Gjykatës Penale në ish-Jugosllavi në rastin kundër Slobodan Millosheviqit dhe qëndron pranë asaj deklarate.
Për masakrën e Reçakut, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën fillestare për 20 korrik 2026, dhe tashmë ftesa për seancë është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës, ku iu bëhet thirrje të akuzuarve për pjesëmarrje në seancë, si dhe palëve tjera në procedurë.

