Samiti i Ballkanit Perëndimor po mbahet sot në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, ku në fokus është procesi i integrimit evropian, reformat dhe konvergjenca mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së tij në samit, kryeministri Edi Rama shprehu entuziazmin për nisjen e procesit të ri të integrimit evropian, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë të vendeve të tyre në BE për të përfituar nga mundësitë që ofron Unioni.
“Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi, për qasjen e re të integrimit, reformat dhe konvergjencën. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se i takon Ballkanit Perëndimor dhe BE-së të mos presë deri në anëtarësim. Konvergjenca po rritet dhe ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi qenë avokatë të idesë se qytetarët nuk mund të presin që të përfitojnë dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve të vlerës. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani nga të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë vendet e rajonit, por njëkohësisht kërkon rezultate konkrete dhe përmbushjen e reformave.
“BE-ja është kaq e prirur të na ndihmojë, sa është e prirur të na bjerë me çekiç kokës për të dhënë rezultate. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje”, u shpreh kryeministri. /Telegrafi/





