Data e sotme shënon një moment të rëndësishëm për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në rajon, me funksionalizimin e platformës TIPS Clone në pesë vendet pjesëmarrëse.
Përmes një komunikate për medie thuhet se për Kosovën, kjo përkon me fillimin e zbatimit gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do të mund të realizojnë transferta të menjëhershme të mjeteve, në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Në kuadër të këtij procesi, BQK-ja ka nisur zbatimin e TIPS-K sipas planit të përcaktuar, ndërsa janë realizuar me sukses edhe transferet e para të menjëhershme.

Për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, funksionalizimi i TIPS-K përfaqëson një nga zhvillimet e rëndësishme në procesin e modernizimit të sistemit të pagesave. Ky sistem pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të transaksioneve, përmirësimin e qarkullimit të mjeteve financiare, mbështetjen e aktiviteteve ekonomike dhe zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike nga qytetarët dhe bizneset.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vlerëson bashkëpunimin me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane, Bankën Botërore dhe institucionet e tjera partnere, si dhe angazhimin e bankave komerciale dhe ekipeve profesionale që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.
Burimi: RTKLive





