Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës të policit Triumf Riza, babai i tij ka shprehur pakënaqësinë për mos-përfundimin e rastit gjyqësor, duke thënë se është fatkeqësi që edhe pas 19 vitesh drejtësia ende nuk ka marrë fund.
Ai ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se një pjesë e tij, që sipas tij duhet të jetë mbrojtëse e qytetarëve, ka shkelur rregullat e veta.
“S’ka ideal më të lartë sesa flijimi për shoqëri, për rend e qetësi dhe për shtet. Fatkeqësisht, një pjesë e gjyqësisë, që ata duhet me qenë mbrojtës, ata i kanë shkelë edhe rregullat e veta. Tash e 19 vjet hala nuk ka përfundu rasti i Triumfit. Është i fundit një i këtyre bandës së Sekiraqëve që ende po gjykohet dhe s’e ka marrë dënimin. Jo vetëm unë, por kërkush nga populli nuk janë të kënaqur me sistemin e kalbur të drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, gjatë kohës sa ishte në krye të detyrës si pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj 2024 e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.
Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.
Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim./teve1.info/

