Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Endrit Nika dhe e ktheu rastin në rigjykim lidhur me akuzën për vrasjen e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray, (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023.
Nika u dënua me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Lajmin për kthimin në rigjykim nga Apeli e bëri me dije avokati i Nikës, Tomë Gashi.
“Rasti i z. Endrit Nika kthehet në rigjykim. Z. Endrit Nika ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 18 vite burgim, lidhur me vrasjen e 27-vjeçares nga Argjentina në hotelin “Sonoma” në Fushë Kosovë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm. Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ky vendim është i rëndësishëm, sepse në këtë proces penal e vërteta nuk mund të ndërtohet mbi supozime, interpretime apo paragjykime. Ajo duhet të përcaktohet vetëm mbi PROVA”, ka shkruar Gashi.
Të akuzuarit Nika iu vazhdua masa e paraburgimit, me arsyetimin se ekzistojnë kushtet ligjore deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Themelorja.
The post Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Endrit Nikës, akuzohet për vrasjen e argjentinases appeared first on Gazeta Express.

