Ali Ahmeti ka rrëfyer për arrestimet e tij gjatë viteve 1981-1982, veprimtarinë e organizuar të studentëve shqiptarë dhe ndikimin që pati vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës në lëvizjen shqiptare të asaj kohe.
Në intervistën për ciklin “Dosjet” në Debat Plus me Ermal Pandurin, Ahmeti tha se në vitin 1981 ishte arrestuar në Kërçovë dhe ishte mbajtur për 60 ditë.
“Në Kërçovë kam qenë i arrestuar 60 ditë”, tha Ahmeti, duke shtuar se arrestimi i radhës kishte ndodhur në vitin 1982.
Sipas tij, në atë periudhë ishin arrestuar rreth 150 studentë, megjithëse vetëm një pjesë e vogël e tyre ishin të përfshirë drejtpërdrejt në organizime.
“Prej 150 studentëve sa jemi arrestuar në atë periudhë, mund të kemi qenë 10 të organizuar. Të tjerët janë arrestuar vetëm se ishin studentë dhe nuk pranonin që të dënoheshin demonstratat e studentëve në Prishtinë”, deklaroi ai.
Ahmeti tutje ka thënë se UDB-ja jugosllave ndiqte një strategji që grupet e organizuara të mos goditeshin të gjitha menjëherë, por arrestimet të shpërndaheshin në kohë për të krijuar përshtypjen se shërbimi i dinte dhe kontrollonte të gjitha aktivitetet.
Ai tregoi se në maj të vitit 1984 grupi i tij ishte rrethuar për t’u arrestuar, por ai nuk ishte gjetur në banesë.
“Kam kaluar menjëherë në ilegalitet të thellë, në fshehtësi të plotë. Jam arratisur më 1 korrik të ’84-ës”, tha Ahmeti.
Një pjesë të rëndësishme të rrëfimit ia kushtoi vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, duke thënë se lajmi për vrasjen e tyre kishte goditur rëndë veprimtarët shqiptarë.
Ahmeti tregoi se kishte lidhje me rrjetin përmes dajës së tij, Fazli Veliu, dhe se në Kosovë furnizoheshin me gazeta, literaturë dhe materiale përmes punëtorëve shqiptarë që vepronin në Zvicër.
“Vrasja e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit ka pasur kosto të lartë për lëvizjen patriotike, për rezistencën e shqiptarëve”, tha ai.
Sipas Ahmetit, qëllimi i UDB-së me vrasjen e tyre ishte frikësimi dhe thyerja e lëvizjes së organizuar shqiptare.
Por ai tha se efekti ishte i kundërt.
“Çdo arrestim, çdo vrasje ka pasur kundërefekt dhe na ka mobilizuar aq më shumë”, deklaroi Ahmeti.
Ai përmendi edhe vdekjen e Zija Shemsiut në burg në vitin 1985, duke thënë se pas saj ishin shtypur dhe shpërndarë mijëra trakte në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.
“Çdo goditje na ka kalitur. Çdo goditje na ka bërë më të fortë”, ka rrëfyer Ahmeti.
Ahmeti hap “Dosjen” e viteve ’80: Si organizoheshin shqiptarët nën syrin e UDB-së

