Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Nazmi Zeqiri, në EURO n’T7 ka thënë se po shkojmë në zgjedhje të reja nacionale vetëm për të përmbushur egot personale të disa politikanëve, duke harruar mirëqenien e qytetarëve tanë.
Në anën tjetër, profesori Zeqiri ka thënë se kjo qeveri ka pasur në dispozicion rreth 20 miliardë euro buxhet për të shpenzuar, ndërsa sot, pas ardhjes së tyre në pushtet, qytetarët janë më të varfër.
“Efektet e këtyre 20 miliardë eurove nuk po vërehen. Unë nuk e di çka partitë politike, veçanërisht partia në pushtet, të premtojnë ndryshe, pasi që shumica e premtimeve të dhëna deri më tash kanë mbetur pa u realizuar. Gjendja e bizneseve u përkeqësua, çmimi i energjisë elektrike u rrit tri herë gjatë mandateve të kësaj qeverie. Inflacioni në pesë vitet e fundit u rrit mbi 18% dhe kjo është shumë shqetësuese. Për qytetarin nuk po bëhet më mirë, siç ishte premtuar, por po bëhet mirë vetëm për disa politikanë që po i shtojnë ambiciet e tyre personale”, ka thënë Zeqiri.
Sipas Zeqirit, qeveritë e udhëhequra nga LVV-ja janë qeveritë më jokonsistente, pasi kanë dhënë me qindra premtime që nuk i kanë realizuar.
“Është premtuar Banka Zhvillimore, nuk është bërë. Janë premtuar 160 çerdhe, janë ndërtuar vetëm disa. Janë premtuar banesa për çifte me çmime të përballueshme dhe nuk kanë ndodhur. Pastaj investimet kapitale, edhe përkundër se kanë pasur buxhet më shumë se çdo qeveri tjetër, realizimi i tyre ka qenë shumë i vogël. Për shembull, në vitin 2023 niveli i realizimit të investimeve ka qenë 16%, e në 2022 edhe më pak, apo ekuivalent me vitin 2017, kur i gjithë buxheti ishte 1.9 miliard euro. Në anën tjetër kemi rritje të theksuar të kategorisë së subvencioneve dhe kjo shihet se buxheti i shtetit është përdorur si instrument për të arritur qëllime elektorale”, ka shtuar Zeqiri.
The post Zeqiri: I patën 20 miliardë euro buxhet, por popullin e varfëruan appeared first on Gazeta Express.



