Një infermiere është sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës në rrugën “Pandeli Sotiri” në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 shtator rreth orës 12:00, kur infermierja, së bashku me ekipin mjekësor, kishte shkuar në shtëpinë e një personi të dyshuar për t’i ofruar tretman mjekësor.
Pas përfundimit të tretmanit, i dyshuari dyshohet se ka nisur një konflikt verbal me infermieren dhe më pas e ka sulmuar fizikisht atë.
Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.
Policia po merret me rastin. /Telegrafi/

