Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar substancë të dyshuar narkotike gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët kanë ndaluar për kontroll një automjet të drejtuar nga një shtetas i vendit fqinj.
Gjatë kontrollit të detajuar, i cili është kryer në vijën e dytë të kontrollit, në çantën e krahut të udhëtarit është gjetur një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Një sasi tjetër e substancës së dyshuar është gjetur brenda një kutie metalike.
Lidhur me rastin, personi është ndaluar dhe arrestuar nga autoritetet kompetente, ndërsa rasti i është dorëzuar institucioneve përkatëse për procedim të mëtejshëm, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

